Policia ka arrestuar 14 protestues për veprimet e dhunshme gjatë mbrëmjes së djeshme, 22 mars, si dhe ka proceduar në gjendje të lirë 9 të tjerë.
Në total ishin 23 të shoqëruar, mes tyre edhe 4 të mitur, të cilët u lanë të lirë, raporton gazetari i Klan News, Besar Bajraktaraj.Ashtu si herët e shkuara, edhe protesta e 6-të kombëtare e Partisë Demokratike, e cila zgjati rreth 2 orë e gjysmë, u shoqërua me tensione dhe incidente të shumta. Protestuesit marshuan drejt institucioneve kryesore, përfshirë Kryeministrinë, ku u hodhën molotovë, fishekzjarrë dhe flakadanë.
Policia ndërhyri disa herë duke përdorur gaz lotsjellës dhe ujë me presion për të shpërndarë turmën.Si pasojë e përplasjeve, mbetën të lënduar 6 efektivë policie, ndërsa një qytetar humbi ndjenjat.
Gazi lotsjellës preku edhe kryetarin e PD-së, Sali Berisha, i cili u detyrua të ndalonte për disa momente përpara se të rikthehej në protestë. Pas përfundimit të tubimit, Berisha e cilësoi protestën si të suksesshme dhe la të kuptohet se të tjera ‘aksione’ priten në vijim.
Nga ana tjetër, Ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari, vizitoi në Spitalin e Traumës efektivët e plagosur duke dënuar ashpër dhunën ndaj uniformave blu dhe përdorimin e mjeteve të rrezikshme gjatë protestës.
Ai ngriti shqetësimin edhe për përfshirjen e të miturve në akte dhune, duke e cilësuar këtë si një akt manipulimi dhe shfrytëzimiSipas Lamallarit, përdorimi i fëmijëve për të hedhur molotovë apo mjete të tjera ndaj institucioneve dhe policisë përbën shkelje të rëndë dhe përgjegjësi penale për personat që i nxisin këto veprime. Theksoi se sulmet ndaj punonjësve të shtetit janë të patolerueshme.