Molotovë njëri pas tjetrit, protesta në Shqipëri mbyllet me disa të lënduar
2
Është përmbyllur protesta e sotme e opozitës në Tiranë, e cila zgjati mbi 2 orë e 30 minuta dhe u shoqërua me tensione dhe përplasje me policinë.
Marshimi nisi nga Kryeministria dhe vijoi në disa pika kyçe të kryeqytetit, përfshirë zonën pranë selisë së Partisë Socialiste, ku u shënuan shpërthime me molotov dhe përdorim i gazit lotsjellës nga forcat e rendit.
Gjatë protestës pati tentativa për të hyrë në zonën e ish-Bllokut dhe më pas drejt godinës së AKSHI-t dhe Parlamentit, por protestuesit u ndaluan në të gjitha këto pika nga kordonët policorë, dhe e devijuan disa herë itinerarin.
Protesta u mbyll përpara selisë së Partisë Demokratike, ku kryetari Sali Berisha mbajti fjalën përmbyllëse. Ai deklaroi se “nuk ka më paqe” me kryeministrin Edi Rama dhe paralajmëroi zhvillimin e një tjetër proteste kombëtare në vijim.
Sipas Berishës, protesta arriti qëllimin e saj, ndërsa theksoi se objektivi i vetëm i aksioneve opozitare mbetet largimi i kryeministrit Rama, të cilin e akuzon për korrupsion.
Gjatë tubimit nuk munguan incidentet, me katër efektivë dhe një qytetar të lënduar, ndërsa edhe vetë Berisha u prek nga gazi lotsjellës i përdorur nga policia për shpërndarjen e turmës./Tv Klan