Historia e tyre kishte përfunduar dhe, pas dështimit të martesës, ajo kishte vendosur të niste një jetë të re duke krijuar një lidhje me një 39-vjeçar egjiptian. Marrëdhënia mes tyre, megjithatë, ishte shumë e trazuar, aq sa partneri i ri po ushtronte vazhdimisht dhunë ndaj saj.
Lajmi ka mbërritur tek ish-bashkëshorti, një 54-vjeçar, i cili kishte vendosur të hakmerrej në mënyrë të drejtpërdrejtë. Kështu, në nëntor të vitit 2019, së bashku me dy miq shqiptarë, 34 dhe 39 vjeç, ai u paraqit në banesën e egjiptianit në Sant’Andrea – Besanigo, në një aksion ndëshkues që përfundoi me dhunë të rëndë.
Të tre e rrahën brutalisht 39-vjeçarin, fillimisht me duar, më pas me kondakun e një arme, një levë metalike dhe një shkop bejsbolli. Pas rrahjes, e futën në makinë dhe e lanë të plagosur rëndë, me gjak dhe shenja të shumta dhune, në një fushë pranë banesës së tij.
Ngjarja nuk kaloi pa u vënë re dhe u njoftuan menjëherë karabinierët e Ricciones dhe shërbimet e urgjencës 118. Mjekët gjetën viktimën në gjendje të rëndë, ndërsa hetimet nisën menjëherë, duke çuar shpejt në identifikimin e autorëve.
Të tre u përballën me drejtësinë të akuzuar për plagosje të rëndë dhe u dënuan në shkallë të parë: 54-vjeçari me 4 vite e 8 muaj burg, ndërsa dy bashkëpunëtorët me nga 2 vite e 4 muaj secili. Avokati mbrojtës ka njoftuar apelimin e vendimit.
Për të njëjtën ngjarje, ata u gjykuan edhe për grabitje dhe mbajtje të paligjshme armësh. Gjatë rrahjes dyshohej se ishte marrë ora e artë Rolex e viktimës dhe se një prej autorëve kishte përdorur armë zjarri.
Megjithatë, për këto akuza, gjykata vendosi pafajësi, duke argumentuar se “fakti nuk ekziston”. U provua se ora ishte shkëputur gjatë rrahjes dhe kishte përfunduar në makinën që transportoi viktimën, për t’u gjetur më pas dhe kthyer pronarit. Sa i përket armës, një pistoletë Beretta, ajo rezultoi të ishte e vetë viktimës dhe jo e agresorëve, të cilët e kishin gjetur në banesën e tij.