A ka nisur një romancë mes tyre?
Së fundmi, rrjeti ka qenë i mbushur me aludime rreth një romance të mundshme mes dy ish-banorëve të “Big Brother VIP Albania 4”, Egli Takos dhe Redon Beranit.
Dyshimet u nxitën nga publikimi i disa fotografive të ngjashme, ku u krijua përshtypja se Egli ndodhej në të njëjtin automjet me Redonin.
Për të sqaruar këtë situatë, ish-banorja ka zgjedhur të flasë mbrëmjen e sotme gjatë një interviste në emisionin “Goca dhe Gra”. E përballur në studio me imazhet që qarkullojnë, ajo ka mohuar çdo pretendim duke u përgjigjur me doza ironie ndaj thashethemeve të vazhdueshme për jetën e saj private.
Ajo u shpreh: “Se marr vesh, unë me këtë muhabetin e lidhjeve e fortë paskam qenë se si i mbaj nga 4 për muaj, nuk e di dmth, i fsheh nga njëri-tjetri. Sigurisht që jo, nuk jam takuar, do doja të isha takuar, kam shumë respekt për të dhe për familjen e tij, është një djalë shumë i mirë dhe një shok shumë i mirë. Absolutisht lajmi nuk është i vërtetë.”
Kujtojmë se Egli dhe Redoni krijuan një raport miqësor mjaft të mirë gjatë qëndrimit në reality show.
Ky rrugëtim i përbashkët u ndërpre herët, pasi Redoni vendosi të linte garën me dëshirë për shkak të presionit të lartë psikologjik.
Më vonë brenda shtëpisë, Egli nisi një romancë me këngëtarin Gjesti, e cila mori fund pas përfundimit të spektaklit.
Që nga ajo kohë, për të janë përfolur disa lidhje të ndryshme në media, por asnjëra nuk ka rezultuar e bazuar në fakte reale.