:Nga Berlini, ku prej dy ditësh ka mbajtur disa takime intensive me zyrtarë gjermanë, Gazment Bardhi theksoi se Shqipëria ka nevojë për një qeveri të re që të punojë për standartet evropiane dhe integrimin e vendit në BE.
Kreu i Grupit Parlamentar të PD-së theksoi se PS po pengon drejtësinë duke mbrojtur zyrtarët e korruptuar, si rasti i Belinda Ballukut, ndaj shton se janë të nevojshme zgjedhjet e lira dhe të ndershme për të mundësuar rotacionin dhe pasur një qeveri në shërbim të qytetarëve.
“Shqipëria ka nevojë të zbatojë standardet europiane në vend, jo vetëm me fjalë, por me vepra. Për fat të keq, Partia Socialiste ka treguar përmes veprimeve se pengon drejtësinë dhe merr në mbrojtje zyrtarë të lartë të përfshirë në korrupsion. Kjo pengon procesin e integrimit. Prandaj nevojitet ndryshimi. Na duhen zgjedhje të lira dhe të ndershme, për të pasur një qeveri të përgjegjshme që punon për standardet europiane dhe integrimin e Shqipërisë në BE.”, shprehet mes të tjerash deputeti demokrat.
Deklarata e plotë:
Dy ditë intensive në Berlin, me takime të ngjeshura së bashku me kolegët Jorida Tabaku dhe Klevis Balliu. Takimet nisën me raportuesin për Shqipërinë në Bundestag dhe do të vijojnë me Kryetarin e Komisionit për Çështjet Europiane, Kryetarin e Komisionit të Jashtëm dhe një numër të madh deputetësh. Më pas, axhenda vijon në qeverinë federale, në Ministrinë e Jashtme, me Ministrin e Shtetit për Çështjet Europiane.
Ndërsa në Shqipëri opozita përjashtohet nga një mazhorancë që kontrollon të gjitha institucionet, në Berlin zëri i saj dëgjohet me respekt dhe vëmendje.
Shqipëria ka nevojë të zbatojë standardet europiane në vend, jo vetëm me fjalë, por me vepra. Për fat të keq, Partia Socialiste ka treguar përmes veprimeve se pengon drejtësinë dhe merr në mbrojtje zyrtarë të lartë të përfshirë në korrupsion. Kjo pengon procesin e integrimit. Prandaj nevojitet ndryshimi. Na duhen zgjedhje të lira dhe të ndershme, për të pasur një qeveri të përgjegjshme që punon për standardet europiane dhe integrimin e Shqipërisë në BE.
Mirënjohje pa fund për të gjithë kolegët dhe autoritetet këtu në Gjermani për pritjen dhe diskutimin e hapur. Uroj që për Shqipërinë dhe shqiptarët procesi i integrimit të ecë përpara me një qeveri të përgjegjshme që punon për interesin publik. Ju përshëndes nga Berlini.