Ashtu siç paralajmëruan edhe sondazhet në rrjet, mbrëmja e djeshme e “Big Brother VIP” vulosi rrugëtimin e Dj Gimbo, i cili humbi në televotim përballë Brikenës dhe u detyrua të lërë përfundimisht shtëpinë.
Por, goditja më e madhe për të nuk ishte eliminimi, por ajo që e priste sapo shkeli në studion e spektaklit.
Në vend të analizave të zakonshme për lojën, moderatori Ledion Liço e ndali bisedën për t’i dhënë një lajm të rëndë dhe të papritur nga jashtë.
Ledioni i shpjegoi se miku i tij i ngushtë dhe mbështetësi më i madh, Gjesti, nuk mund të ishte aty për ta pritur. Ai e informoi Gimbon mbi incidentin e bujshëm të ditëve të fundit në zyrat e “ONIMA”, duke i treguar se Gjesti akuzohet për një vepër penale dhe momentalisht ndodhet i izoluar në paraburgim, në pritje të gjykimit.
Reagimi i Gimbos ishte një përzierje mes shokut të vërtetë dhe humorit të tij tipik, të cilin duket se e përdori për të mbuluar tronditjen e momentit.
“I izoluar?! Qysh bre, me gjithë atë dhomë të rëndë… pse s’më priti mua të ishim hy bashkë ne të dy aty,” – u shpreh ai.
Ledioni theksoi se e ndjeu si detyrim moral t’ia thoshte këtë ballë për ballë, në mënyrë që banori të mos e merrte vesh lajmin në mënyrë të ftohtë nga portalet sapo të hapte telefonin.