E raportoi gruan në polici për dhunë ndaj fëmijës, Prokuroria e Pejës inicion rast penal për të dy prindërit
4
Përveç Lipjanit, një rast tjetër i keqtrajtimit të fëmijës është raportuar edhe në qytetin e Pejës.
Policia e Kosovës përmes raportit 24 orësh ka bërë të ditur se rasti ka ndodhur të martën.
Mirëpo Telegrafi mëson nga burime se rasti ka ndodhur më herët mirëpo është raportuar dje dhe se përveç dhunës ndaj fëmijës të ushtruar nga nëna, e njëjta ka pësuar dhunë nga bashkëshorti.
Lidhur me rastin nga Prokuroria Themelore e Pejës kanë bërë të ditur se për të dy prindërit është iniciuar rast penal për “dhunë në familje”.
“Për të dy prindërit është iniciuar rast penal veç e veç për veprën penale “dhunë në familje”. Prokurori i Shtetit bashkë me Policinë e Kosovës janë në koordinim duke i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme”, tha për Telegrafin, zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Pejë, Shkodran Nikçi.
Policia në raport ka bërë të ditur se si dëshmi lidhur me rastin ankuesi ka proceduar video incizime dhe mesazhe.
“Ankuesi mashkull kosovar, ka raportuar se bashkëshortja e tij që një kohë të gjatë është duke ushtruar dhunë fizike ndaj fëmijës së tyre. Si dëshmi lidhur me rastin ankuesi ka proceduar video incizime dhe mesazhe. E dyshuara është intervistuar, pas intervistimit me urdhër të prokurorit është liruar në procedurë të rregullt”, thuhet në raport.