“Mos m’prek se t’q*va nanen allti”- Ky është pjesëtari i policisë që u arrestua nga IPK’ja nën dyshimin për vjedhjen e cigareve të kontrabanduara
1
Inspektorati Policor i Kosovës ka bërë të ditur se ka arrestuar një polic dhe ka rekomanduar për suspendim edhe katër të tjerë, pasi që të njëjtit dyshohet se kanë përvetësuar pako cigaresh të sekuestruara në vlerë prej rreth 30 mijë eurosh.
Sipas njoftimit të IPK’së, zyrtarët policorë kishin sekuestruar mbi 100 pako me cigare nga persona të dyshuar për kontrabandë. IPK më tej bën të ditur se prej tyre, 24 i kishin marrë për vete, vlera e të cilave shkon në rreth 30 mijë euro.
“Pas veprimeve hetimore një zyrtar policor është arrestuar dhe me vendim të Prokurorisë Themelore në Mitrovicë i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë kurse katër zyrtarët tjerë janë duke u hetuar në procedurë të rregullt”, thuhet në njoftim.
Gazeta Insajderi merr vesh se bëhet fjalë për pjesëtarin e Njësitit Special në veri, Fatmir Uka.
“Nalu merrum vesh, qe ku e ke vjedh mallin, qe ku je t’u e çu mallin”, janë fjalët e qytetarit drejtuar policit.
Në shenjë revolte polici kundërpërgjigjet duke e kërcënuar me fjalët: “Mos më prek se ta q. nanën allti”.
Gazeta Insajderi ka arritur të sigurojë deklaratën e dhënë nga Shkelzen Salihu në stacionin policor të Vushtrrisë.
Në deklaratën e tij, Salihu pretendon se është kontaktuar përmes telefonit nga një person i identifikuar si Lazar Sekoliq, i cili e kishte njoftuar se policia kishte ndaluar një kamion në Leshak dhe ishte nisur drejt stacionit policor. Ai thotë se më pas është takuar me tre pjesëtarë të policisë dhe ka marrë prej tyre çelësat e kamionit dhe dokumentacionin e mallit, që sipas tij përmbante cigare.
Shkelzen Salihu në polici thotë se me automjet ka dalë në Zveçan dhe e ka pritur ardhjen e këtij automjeti të kuq, ku sapo e ka parë është nisur pas tij për ta shikuar se a po ndalet në terminal doganor në hyrje të Mitrovicës.
Kur e ka parë që nuk po ndalet aty, ai thotë se e ka përcjellur nga prapa dhe e ka ndaluar automjetin e kuq të stacioni i autobusëve në Mitrovicë dhe e ka parë që shofer ishte polici Fatmir Uka, nga i cili thotë se ka marrë kërcënime me më fjalët “Largohu se të vras”.
Shkelzen Salihu në polici ka deklaruar se automjetin e policit Fatmir Uka e ka bllokuar prapë në lagjjen Ilirida (ish Tavnik) të Mitrovicës, por që prapë e ka kërcënuar me vasje duke ia nxjerrë armën.
Tutje, sipas Salihut polici për shkak të këmbëngulësisë së tij është kthyer me automjetin e kuq në Leshak dhe më pas të gjithë mallin e kanë sjellur në terminal doganor, ku ky si pronar i mallit i ka pritur policin derisa janë dalë. Ai pretendon se edhe te terminali doganor polici Fatmir Uka ka dalë nga vetura dhe ka shkuar në drejtim të tij me revole në dorë, ku ky është larguar me automjet në drejtim të Vushtrrisë dhe është lajmëruar në stacion policor.
Shkelzen Salihu në deklaratë thotë se në stacion policor në Vushtrri kanë shkuar Fatmir Uka me një polic me emrin Kastriot, duke ushtruar dhunë fizike ndal tij.