Refuzimi i kërkesës së SPAK për Ballukun është sinjal i gabuar

March 13, 2026


Ish-deputeti i Partisë Socialiste, Petro Koçi ka kritikuar dje mazhorancën për qëndrimin e saj në raport me Belinda Ballukun, ku ditën e djeshme me 82 vota pro u rrëzua kërkesa për arrestimin e saj. Për Koçin, refuzimi i kërkesës së SPAK përbën një hap prapa për procesin politik dhe sundimin e ligjit. Në një postim në rrjetet sociale, ish-deputeti i PS-së, përkrah shqetësimin për numrin e lartë të masave të sigurimit me arrest, por thotë se kjo duhet trajtuar nëpërmjet konsultave edhe me Komisionin e Venecias sidomos për lëvizjen e fundit të Gjykatës së Lartë, që arresti me burg të jetë si zgjidhje e fundit e gjyqësori. Por trajtimi i këtij shqetësimi nuk mund të administrohet nëpërmjet një rasti individual, thekson Petro Koçi.

“Nuk është fundi i botës dhe as kohë e dielltë për opozitën berishiane, por vendimi i sotëm i refuzimit të kërkesës së SPAK për lejen e Kuvendit për masë sigurimi ndaj një deputeteje nën ndjekje penale përben një hap prapa për procesin politik dhe sundimin e ligjit në Shqipëri. Unë e vlerësoj shqetësimin e përhapur lidhur me zgjerimin e aplikimit të vendimeve me arrest paraprak si masë sigurimi ndaj disa figurave politike nën ndjekje penale, por trajtimi i këtij shqetësimi nuk mund të administrohet nëpërmjet një rasti individual, por vetëm nëpërmjet ndërhyrjeve të konsultuara me praktikat ndërkombëtare në legjislacion apo nëpërmjet vendimeve normuese të shkallëve të larta të gjyqësorit, edhe këto të konsultuara paraprakisht me Komisionin e Venecias. Ndërhyrja selektive e politikës së ditës në mbrojtje të individëve të caktuar të saj ndaj ndjekjes penale, opozita në rastin Berisha apo mazhoranca në rastin Balluku, e kompromenton angazhimin publik dhe parimor të klasës politike për të respektuar drejtësinë e re në luftën ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar”, shkruan Koçi.

Koçi godet Berishën

Ndërkohë dje para se kërkesa e Prokurorisë së Posaçme (SPAK) për heqjen e imunitetit të deputetes Belinda Balluku me qëllim arrestimin e saj të votohej nga deputetët e Kuvendit, ish-deputeti socialist, Petro Koçi shkroi se Sali Berisha “nuk ka hallin e imunitetit të Belindës e as luftën ndaj korrupsionit. Ka vetëm një peng; 21 Janarin! Kërkon ta shlyejë!”. Në një postim në Facebook, Koçi thotë se kryedemokrati “kërkon të paktën 1 viktimë tjetër për të cilën të ketë mundësi të akuzohet policia e sotme e shtetit, që e përkthyer prej tij do të konsiderohej vrasje e urdhëruar nga Rama.” Sa i përket imunitetit të Ballukut, ish-deputeti socialist thotë se “kërkesat e drejtësisë duhen konsideruar duke llogaritur në radhë të parë interesat e vendit e të integrimit europian e jo ato personale apo ato të egoizmit politik.” “Berisha nuk ka hallin e imunitetit të Belindës e as luftën ndaj korrupsionit. Ka vetëm një peng; 21 Janarin! Kërkon ta shlyejë!

Po si do thoni ju? Kërkon të paktën 1 viktimë tjetër për të cilën të ketë mundësi të akuzohet policia e sotme e shtetit, që e përkthyer prej tij do të konsiderohej vrasje e urdhëruar nga Rama. Prandaj duhen marrë masa dhe ndërmarrë veprime e vendime rreptësisht ligjore për të shmangur projektet shpirtzeza të këtij përbindëshi që Shqipërisë ia bëri dhuratë Partia e Punës. Nga ana tjetër kërkesat e drejtësisë duhen konsideruar duke llogaritur në radhë të parë interesat e vendit e të integrimit europian e jo ato personale apo ato të egoizmit politik. Qëndrimet tej standardeve të deklaruara e të zbatuara deri më sot do të ushqenin nga ana tjetër alibinë e përbindëshit politik dhe do të rrisnin përkrahjen për politikën destabilizuese të tij”, nënvizoi dje ish-deputeti i PS, Petro Koçi në rrjetet sociale.



Source link