Banorët e Rrjollit po protestojnë sot përpara Prokurorisë së Posaçme Antikorrupsion (SPAK) për pronën e tyre, pretenduar se u është vjedhur nga ish-drejtori i Kadastrës Fatmir Shpellzaj dhe sot në atë tokë po ndërton një resort luksoz botuesi dhe ndërtuesi Bashkim Ulaj.
Në duar ata mbajnë banera ku kanë afishuar dokumentet e pronës që ata disponojnë, postera ku shkruhet se besojnë te drejtësia e SPAK, ndërsa që kanë qëlluar me vezë në drejtim të godinës së prokurorisë.
Prej më shumë se 1 muaji, banorët kërkojnë që gjykata t’i japë zgjidhje këtij konflikti ndërsa të ashpra kanë qenë përplasjet në Rrjoll mes punonjësve të Ulajt, efektivëve të policisë dhe rojeve privave të “Breçani Security” të punësuar nga oligarku më qëllim për të ruajtur kantierin.
Përfaqësuesi i banorëve të Rrjollit, Prekë Molla tha ditën e djeshme se në SPAK është depozituar kallëzimi i 3-të për të gjithë personat që janë të përfshirë në vjedhjen e pronës së tyre.
