Nuk do të ketë ngritje të bordeve të transparencës por vetëm monitorim të tregut ditor të karburanteve.
Ministrja e Ekonomisë Delina Ibrahimaj pas mbledhjes së qeverisë foli edhe për rritjen e çmimit të naftës në vend si pasojë e konfliktit në Lindjen e Mesme, për të cilin tha se do të merren masa nëse ka abuzime apo spekulime nga pikat e shitjes me pakicë në vend.
“Diskutuam për situatën ekonomike, për çmimet e karburanteve. Kemi zhvilluar një takim me kompanitë dhe Shoqatën e Hidrokarbureve. Për të ngritur alertin për rritjen e çmimeve javët e fundit, të ndikuar gjatë për luftën. Kemi diskutuar për detyrimin që kanë për rezervat. Jemi duke monitoruara, qoftë çmimet e brisës për naftën, benzinën dhe gazin, qoftë çmimin me të cilin karburanti del nga dogana, me çmimin e tabelave që shkon për tregtim.
Gjatë krizës 2022-2023, kur çmimet u rritën, kemi pasur një bord transparence që monitoronte dhe vendoste për çmimet e shitjes. Gjykojmë që situata nuk është në nivelin e ngritjes së bordit, nëse do ketë rritje të mëtejshme do të futemi në atë regjim. Ndërsa taksat që mbart 1 litër karburant përfshirë këtu dhe taksën e qarkullimit shtetet e tjera e paguajnë tek automjetet ndërsa ne e kemi vendosur tek nafta, ndaj është një raport i tillë”, u shpreh ministrja e Ekonomisë Delina Ibrahimaj.
Në 10 mars u shënua dhe çmimi më i lartë i karburanteve në vend ku 1 litër naftë këmbehej edhe për 198 lekë. Ndërsa gjatë ditës së sotme çmimet varjojnë në një rënie të lehtë edhe në 193 lekë për litër teksa edhe në bursat ndërkombëtare çmimet për fuçi të naftës ranë më tej.
Të dhënat e doganave për importin e karburanteve sipas bursës Platts për datën 10 mars tregojnë se nafta në Shqipëri është importuar për 1057 dollar për ton nga 1172 për ton dollarë në të cilën është importuar një ditë më parë duke reflektuar një rënie.