Një 36-vjeçar shqiptar është arrestuar nga policia në Itali, pasi u kap në posedim të rreth 9 kilogramëve kokainë, me një vlerë që në tregun e drogës llogaritet mbi 1 milion euro.
Sipas mediave italiane, shqiptari dyshohet se furnizonte rrjetet e trafikut të drogës në zonën ku jetonte, deri në territorin e Altopascio.
Hetimet ndaj tij nisën pasi policia vuri re lëvizje të dyshimta. Fillimisht ai u drejtua drejt një garazhi pranë banesës, ku mbante një automjet që përdorej si vend magazinimi. Nga aty mori lëndën narkotike dhe e transferoi në një tjetër makinë që përdorej për shpërndarjen e saj.
Gjatë kontrollit në banesë, autoritetet sekuestruan tetë pako kokainë, me një peshë totale prej rreth 9 kilogramësh. Sipas policisë, pakot mbanin logo të ndryshme, mes tyre edhe simbolin “Pentagram”, që dyshohet se përdoret për të identifikuar cilësinë e drogës ose porositësit.
Pas procedurave ligjore, 36-vjeçari u arrestua dhe u dërgua në burgun e Pistoia, ndërsa hetimet vijojnë për të zbuluar lidhjet e tij me rrjete të tjera të trafikut të narkotikëve.