FBI paralajmëroi se Irani mund të sulmonte Kaliforninë, me dronë

March 11, 2026


“Kohët e fundit kemi marrë informacion se që nga fillimi i shkurtit 2026, Irani dyshohet se synonte të kryente një sulm të papritur duke përdorur mjete ajrore pa pilot nga një anije e paidentifikuar pranë brigjeve të Shteteve të Bashkuara, konkretisht kundër objektivave të paspecifikuara në Kaliforni, në rast se SHBA-të do të kryenin sulme kundër Iranit”, sipas alarmit të shpërndarë në fund të shkurtit, shkruan ABC News, përcjell Telegrafi.

“Nuk kemi informacione shtesë mbi kohën, metodën, objektivin ose autorët e këtij sulmi të dyshuar”.

Paralajmërimi erdhi pikërisht kur administrata Trump nisi sulmin e saj të vazhdueshëm kundër Republikës Islamike.

E Irani është hakmarrë me sulme me dronë kundër objektivave në të gjithë Lindjen e Mesme.

Siç shkruan mediumi në fjalë, një zëdhënëse e zyrës së FBI-së në Los Anxhelos nuk pranoi të komentojë.

As Shtëpia e Bardhë nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese për koment.
Megjithatë, vë në pah ky medium, zyrtarët e inteligjencës amerikane janë gjithashtu të shqetësuar në muajt e fundit për përdorimin në rritje të dronëve nga kartelet meksikane të drogës dhe mundësinë që teknologjia të mund të përdoret për të sulmuar forcat dhe personelin amerikan pranë kufirit meksikan.

“Një raport i pakonfirmuar sugjeroi se udhëheqës të paidentifikuar të karteleve meksikane kishin autorizuar sulme duke përdorur UAS (dronë) që mbanin eksplozivë kundër forcave të rendit dhe personelit ushtarak amerikan përgjatë kufirit SHBA-Meksikë”, sipas një buletini të shtatorit 2025 të shqyrtuar nga ABC News.

“Ky lloj sulmi kundër personelit ose interesave amerikane brenda Shteteve të Bashkuara do të ishte i pashembullt, por ilustron një skenar të besueshëm, megjithëse (kartelet) zakonisht shmangin veprimet që do të rezultonin në vëmendje ose përgjigje të padëshiruara nga autoritetet amerikane”.

Kontribuesi i ABC News, John Cohen, ish-kreu i inteligjencës për Departamentin e Sigurisë Kombëtare, tha se është i shqetësuar për mundësinë e luftës me dronë që mund të vie si nga Paqësori ashtu edhe nga Meksika.

“Ne e dimë që Irani ka një prani të gjerë në Meksikë dhe Amerikën e Jugut, ata kanë marrëdhënie, ata kanë dronët dhe tani kanë nxitjen për të kryer sulme”, tha Cohen. “FBI-ja është e zgjuar që e ka dhënë këtë paralajmërim në mënyrë që shteti dhe vendasit të jenë më të aftë të përgatiten dhe t’u përgjigjen këtyre llojeve të kërcënimeve. Informacione të tilla janë jashtëzakonisht të rëndësishme për zbatimin e ligjit”.

Ndërsa paralajmërimi i FBI-së nuk specifikonte se si ose kur anijet që transportonin dronë sulmues mund të afroheshin mjaftueshëm me kontinentin e SHBA-së, zyrtarët e inteligjencës kanë qenë prej kohësh të shqetësuar për pajisjet që vendosen paraprakisht ose në tokë ose në anije në det – në rast se Izraeli ose SHBA-të do të godisnin Iranin. /Telegra






Source link