A ka të drejtë Parlamenti të refuzojë arrestimin e Ballukut? Ergys Mërtiri zbulon detajet

March 10, 2026


Vendimi për mosdorëzimin e Ballukut është një shkelje e rëndë e parimeve kushtetuese dhe një ndërhyrje në punët e pushtetit gjyqësor me të vetmin qëllim, pengimin e hetimeve. u shpreh Ergys Mërtiri.

Pretendimi i Ramës se Parlamenti ka të drejtë të refuzojë heqjen e imunitetit, nuk qendron aspak. Parlamenti nuk ka të drejtë të vendosë se çfarë mase duhet të marrë gjykata ndaj një personi në hetim. Kjo është kompetencë ekskluzive e Gjykatës dhe pengimi i kësaj mase përbën ndërhyrje në territorin e gjyqësorit duke e penguar atë të bëjë punën e vet.

Pyetja shtrohet, përse kushtetuta i ka dhënë të drejtë Parlamentit të vendosë për heqjen e imunitetit?

Ka vetëm një arsye: Të ndalojë vendimin në rast se gjykata abuzon dhe përdor masa shtrënguese për të penguar një deputetët në ushtrimin e funksionit të tij të mandatuar nga populli. Pra, parlamenti merr vendim dhe shikon provat vetëm për tu bindur që hetimi nuk është politik dhe masa e arrestit nuk bëhet për të penguar deputetin nga vendimmarrja. Për çdo arsye tjetër, Parlamenti nuk ka asnjë të drejtë të gjykojë se cila është masa e duhur që duhet të marrë prokuroria.

Provat, Parlamenti nuk i kërkon për të gjykuar nëse masa është e drejtë apo jo, por vetëm për të parë nëse hetimi ka bazë apo bëhet për qëllime politike. Parlamenti nuk gjykon thelbin e provës, por vetëm kushtetutshmërinë e vendimit. E për sa kohë, as nga Balluku, as avokatët e saj, e as nga vetë Rama nuk ka asnjë pretendim se hetimi është politik, vendimi për moslejimin e prokurorisë të marrë masë ndaj saj është krejtësisht në shkelje të pavarësisë së pushtetit gjyqësor.

Për këtë arsye, argumentet e paraqitura sot nga Rama dhe Manja se Balluku nuk e cënon hetimin dhe nuk i rrezikon provat janë nul. Opinionet e tyre individuale nuk kanë asnjë vlerë juridike, pasi gjykimi mbi këtë çështje nuk është absolutisht punë e tyre, kur për këtë ka vendosur prokuroria dhe gjykata. Nëse SPAK-u e ka tepruar me masën e arrestit dhe gjykata është nxituar në miratimin e saj, ka shkallë të tjera të gjyqësorit ku mund të ankimohet ky vendim dhe nuk është Parlamenti ai që e gjykon këtë.

Në një sistem demokratik pushtetet janë të ndara. Për këtë arsye Kushtetuta i ka dhënë kompetencë Parlamentit të vendosë mbi lejimin e arrestit të deputetit, nëse hetimi është politik, por nga ana tjetër, për të njëjtën arsye, Parlamenti nuk ka asnjë të drejtë ti hyjë në territor gjyqësorit, duke i treguar atij se çfarë mase të marrë për deputetin në hetim, kur hetimi qartazi nuk është politik. Që Rama të justifikojë pengimin e arrestit duhet të pohojë detyrimisht që hetimi bëhet për qëllime politike, çfarë nuk e thotë dot. E nëse nuk është kështu, çdo refuzim për arrestimin e Ballukut është shkelje e rëndë e pavarësisë së pushteteve të sanksionuar në kushtetutë.



Source link