Vendosi të ruajë imunitetin e Ballukut duke penguar drejtësinë! Shqipëria s’e kaloi testin që kërkon BE

March 9, 2026


Ka ardhur reagimi i parë nga opozita pas deklaratave të kryeministrit Edi Rama në mbledhjen e grupit të PS ditën e sotme (9 mars) ku deklaroi se nuk do pranonte kërkesën e SPAK për heqjen e imunitetit të zv/kryeministres së shkarkuar, të pezulluar dhe të pandehur për abuzim me detyrën, Belinda Balluku.

belind kellici

Belind Këlliçi, deputet i PD-së, akuzoi kryeministrin se jo vetëm mori në mbrojtje vartësen e tij, por edhe po pengon drejtësinë që të bëjë punën e saj.

Sipas Këlliçit, Rama vendosi të ruajë imunitetin përballë drejtësisë “me forcën e kartonave” në Kuvend, kurse vendi humbi një test të rëndësishëm, teksa qeveria i bëhet mburojë korrupsionit.

“Duke zgjedhur të mbrojë aferat e tij korruptive dhe bashkëpunëtoren më të ngushtë, Edi Rama sfidoi drejtësinë dhe integrimin europian të vendit, si dhe hodhi një hap tjetër në përshkallëzimin e tensionit politik në vend”, deklaroi ai.

Deputeti demokrat tha se ky është një vendim kundër Shqipërisë, i marrë për të ruajtur karrigen dhe për të mbrojtur interesat personale të kryeministrit.

Ai bëri thirrje që më 12 mars të gjithë qytetarët të mblidhen para Parlamentit, ditën kur diskutohet edhe imuniteti në Kuvend. Ndërsa theksoi se Shqipëria nuk e kaloi “testin kritik”, siç – sipas tij – ishte cilësuar nga Brukseli.

Reagimi i Belind Këlliçit:

Shqipëria nuk e kaloi testin kritik, bashkohemi më 12 mars të shpëtojmë vendin!

Edi Rama vendosi sot të ruajë imunitetin përballë drejtësisë me forcën e kartonave që ka në Kuvend. Edi Rama u tha të gjithë shqiptarëve se ai është mbi ligjin dhe nuk është i barabartë me qytetarët. Duke zgjedhur të mbrojë aferat e tij korruptive, dhe duke mbrojtur bashkëpunëtoren më të ngushtë, Edi Rama sfidoi drejtësinë dhe integrimin europian të vendit, si dhe hodhi dhe një hap tjetër në përshkallëzimin e tensionit politik në vend.

Ky akt është një vendim kundër Shqipërisë, vetëm e vetëm që Edi Rama të ruajë karrigen e lëkurën e tij. U dëshmua haptazi dhe sot se qendrimet e përbetimet e tij për drejtësinë kanë qënë një propagandë e ulët që ra, në rastin më të parë kur hetimi shkoi në paradhomën e tij.

Me vendimin që shpalli sot, Edi Rama konkludoi pengimin e drejtësisë, një kurs që nisi që ditën e parë kur mbërriti në Kuvend kërkesa për arrestimin e Belinda Ballukut.

Të gjitha zvarritjet dhe sulmet e vazhdueshme ndaj SPAK kulmuan me vendimin sot për të rrëzuar kërkesën e Strukturës së Posaçme anti-korrupsion.

Testin kritik, siç e cilësoi këtë Brukseli, Shqipëria sot nuk e kaloi.

Tanimë është e qartë për çdokënd. Edi Rama është gati të marrë peng vendin dhe të ardhmen e tij, për të shpëtuar nga drejtësia, për të shpëtuar nga burgu që e pret.

I ngelet qytetarëve, i ngelet shqiptarëve të thonë fjalën e fundit. Me 12 mars, bashkohemi para Kuvendit, e të shpallim se Shqipëria nuk është plaçkë e një kryeministri të korruptuar e të lidhur me krimin e kartelet”.



Source link