Të shtëna me armë zjarri janë regjistruar mbrëmjen e kësaj të hëne në kryeqytet. Burime për mediat bëjnë me dije paraprakisht se ngjarja ka ndodhur në ambientet e një lokali në zonën e Saukut, ku i plagosur ka mbetur një shtetas turk.
Menjëherë ai paraqit për mjekim në një nga spitalet private të kryeqytetit, ndërkohë që Policia e Shtetit ka konfirmuar së fundmi se fatmirësisht ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Teksa hetimet po vijojnë për zbardhjen e plotë të plagosjes së 39-vjeçarit turk, informacione për mediat bëjnë me dije se sherri ka ndodhur mes dy shtetasve turq dhe përfundoi me plagosjen e njërit prej tyre. Lidhur me këtë ngjarje priten më tepër detaje në vijim.
“Më datë 09.03.2026, rreth orës 19:25, është paraqitur për mjekim në spital shtetasi i huaj turk H. U, 39 vjeç, i cili dyshohet se është plagosur me armë zjarri në një lokal në Sauk.
39-vjeçari ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Grupi hetimor po punon për identifikimin dhe kapjen e autorit si dhe sqarimin e plotë të rrethanave të rastit”, thuhet në njoftimin e Policisë.