Kategoria e Dytë/ Beteje katërshe në Grupin B, Oriku e mbyll i pari me humbje. Zhgënjen Partizani B


Java e 11-të e Grupit B në Kategorinë e Dytë, e zhvilluar më 20–21 dhjetor, mbylli fazën e parë të kampionatit dhe vulosi verdiktet e para të rëndësishme. Oriku siguroi matematikisht vendin e parë dhe titullin honorifik “kampion dimri”, pavarësisht humbjes së parë sezonale. Butrinti u konfirmua si surpriza më e bukur e këtij gjysmësezoni, ndërsa Partizani B u ndal sërish, këtë herë nga Këlcyra e fundit në renditje.

BUTRINTI ORIKU

Fitore të rëndësishme shënuan edhe Tomori, Shkumbini dhe Devolli. Bylisi B ishte pushim këtë javë, por e mbyll fazën e parë me 21 pikë, në vendin e katërt, falë edhe fitores 3-0 në tavolinë ndaj Partizanit B, vendim i marrë nga Disiplina. Në mbyllje të fazës së parë, Oriku kryeson me 23 pikë dhe golavarazh impresionues 20-4, i ndjekur nga Butrinti me 22 pikë. Partizani B dhe Bylisi B ndajnë vendet 3 dhe 4 me nga 21 pikë, ndërsa në fund të renditjes vijojnë Eagle dhe Këlcyra. Faza e dytë pritet të jetë edhe më e fortë, me garë të hapur si për kreun, ashtu edhe për mbijetesën.

TOMORI – DELVINA 1-0

Tomori e mbylli fazën e parë me fitore minimale, por tepër të vlefshme ndaj Delvinës. Goli i Lirëzës në minutën e 56-të rezultoi vendimtar në një takim ku beratasit treguan më shumë këmbëngulje dhe dëshirë për tri pikët. Ky sukses i jep frymëmarrje Tomorit në renditje, ndërsa Delvina vazhdon të vuajë në fundin e tabelës. Takimi ka nisur me 12 minuta me vonesë. Delegati Shpëtim Halo, pasi bëri kontrollin fizik të  autoambulancës, konstatoi mungesën e oksigjenit, dhe nisur mjetin drejt Spitalit Rajonal të Beratit që ndodhet shumë pranë stadiumit për të siguruar pajisjen. Ky veprim shkaktoi irritimin e tifozërisë vendase, e cila e ka akuzuar delegatin si shkaktar të vonesës, duke lëshuar edhe ofendime në drejtim të zyrtarit të ndeshjes.

BUTRINTI – ORIKU 2-0

Butrinti i dha fund serisë së Orikut, duke i shkaktuar humbjen e parë sezonale kryesuesve. Kolonja në minutën e 35-të dhe Ekango në të 49-tën firmosën një fitore të madhe për vendasit. Me këto tri pikë, Butrinti e mbyll fazën e parë në vendin e dytë me 22 pikë, vetëm një pikë pas Orikut, i cili megjithatë ruan kreun dhe shpallet kampion dimri me 23 pikë.

KËLCYRA – PARTIZANI B 2-2

Partizani B zhgënjeu sërish, duke barazuar 2-2 ndaj Këlcyrës së vendit të fundit. Teka dhe Fofana shënuan për vendasit, ndërsa për të kuqtë realizuan Goga dhe Mando. Një ndalesë e papritur për Partizanin B, që humbi shansin për të rivalizuar seriozisht kreun dhe e mbyll fazën e parë në vendin e tretë me 21 pikë, po aq sa Bylisi B.

EAGLE – SHKUMBINI 1-3

Shkumbini mori një fitore të qartë në transfertë ndaj Eagle. Ageja hapi serinë e golave në minutën e 32-të, por Hyzellari barazoi për vendasit në të 43-tën. Në pjesën e dytë, peqinasit dominuan dhe shënuan edhe dy herë të tjera me Hasramën dhe Doukagan në minutën e 90-të, duke siguruar një triumf të rëndësishëm 3-1.

DEVOLLI – MALIQI 2-1

Devolli fitoi derbin ndaj Maliqit me shifrat 2-1. Çuko shënoi herët në minutën e 8-të, Kapllani dyfishoi në të 48-tën, ndërsa Ibrahim ngushtoi shifrat për miqtë në minutën e 60-të. Një fitore që i jep moral Devollit për vazhdimësinë e sezonit, ndërsa Maliqi mbetet në mesin e tabelës.

 

Kategoria e Dytë

Grupi B

 Java 11, 20-21 dhjetor

Të shtunën

Tomori – Delvina 1-0

Lirëza 56’

Dje

Butrinti – Oriku 2-0

Kolonja 35’, Ekango 49’

Këlcyra – Partizani B 2-2

Teka 27’, Fofana 78’ / Goga 64’, Mando 66’

Eagle – Shkumbini 1-3

Hyzellari 43’ / Ageja 32’, Hasrama 53’, Doukaga 90’

Devolli – Maliq 2-1

Çuko 8’, Kapllani 48’ / Ibrahim 60’

Bylis B – Pushim

 

 

RENDITJA

 

                  TOTALI            

Nr EKIPI        N    P    F    B    H    G+/G-

1 Oriku         10   23   7    3    0    20-4

2 Butrinti      10   22   7    1    2    16-7

3 Partizani B   10   21   6    3    1    30-8

4 Bylis B       10   21   6    3    1    17-12

5 Maliqi        10   13   4    1    5    14-13

6 Devolli       10   12   4    0    6    12-21

7 Shkumbini     10   11   3    2    5    14-18

8 Tomori        10   11   3    2    5    12-16

9 Delvina       10   9    3    0    7    11-20

10 Eagle       10   8    2    2    6    5-22

11 Këlcyra      10   5    1    2    7    9-25

*Bylis B – Partizani B 0-3, rezultat në tavolinë nga Disiplina

 

Java 12, 1 shkurt 2026

Devolli – Delvina

Tomori – Shkumbini

Eagle – Partizani B

Këlcyra – Oriku

Butrinti – Bylis B

Maliqi – Pushim

 

E.Spahiu/ A.Dushku/ F.Lamaj/ R.Suli- PANORAMASPORT.AL







Source link

Comments

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *