Blendi Fevziu ka reaguar publikisht për të shuar zërat dhe teoritë konspirative lidhur me mostransmetimin e emisionit “Opinion” mbrëmjen e djeshme.
Në një video-mesazh, ai sqaroi se nuk ka pasur asnjë prapavijë politike apo censurë, por shkak ka qenë një përplasje oraresh me spektaklin “Topi i Artë”.
Fevziu deklaroi se spektakli parashikohej të zgjaste përtej orarit të caktuar dhe ai ka refuzuar kategorikisht që të nisë emisionin me vonesë.
“Topi i Artë mund të kalonte orën 22:00 dhe unë nuk pranova që të hyj në emision përtej orarit të caktuar. Kjo ka qenë dakordësuar që në paradite,” u shpreh ai.
Megjithatë, moderatori nuk i kurseu kritikat ndaj televizionit ku punon, duke e cilësuar mungesën e njoftimit për publikun si një gabim.
“Në fakt ka qenë një gabim i Televizionit Klan i cili duhet të kishte sqaruar që në mëngjes që emisioni Opinion dje… nuk do të transmetohej,” theksoi Fevziu, duke e quajtur situatën “një keqkalkulim i kohës dhe një banalitet shqiptar”.
Ai hodhi poshtë kategorikisht thashethemet se emisioni ishte bllokuar për shkak të ndonjë videoje sekrete apo lidhjeve me arrestimet e fundit, duke konfirmuar se do të jetë sot në studio për të realizuar puntatën e planifikuar.

Leave a Reply