18:00 |
1 Dhjetor 2025
E.G
Oxford University Press ka shpallur më 1 dhjetor se “rage bait” (nxitje zemërimi) është fjala e vitit 2025. Sipas botuesit, fraza është një shkurtesë për përmbajtje online që synon me qëllim të nxisë zemërim, dhe përdorimi i saj është trefishuar gjatë vitit të fundit.
“Fakti që fjala rage bait ekziston dhe ka parë një rritje kaq të madhe në përdorim do të thotë se jemi gjithnjë e më të vetëdijshëm për taktikat manipuluese ku mund të tërhiqemi online,” tha Casper Grathwohl, president i Oxford Languages. Ai shtoi se interneti më parë përpiqej të merrte vëmendje duke nxitur kuriozitet, ndërsa tani synon të ndikojë emocionet dhe reagimet e përdoruesve.
Oxford e përkufizon “rage bait” si përmbajtje online të krijuar për të shkaktuar zemërim ose indinjatë duke qenë frustruese, provokuese ose fyese, zakonisht për të rritur trafikun ose angazhimin në një faqe të internetit ose llogari të rrjeteve sociale.
Termi u përdor për herë të parë online në vitin 2002 në lidhje me reagimin e një shoferi ndaj një tjetri që i kërkon të kalojë, dhe më vonë u shndërrua në zhargon interneti, duke u përdorur sot për postime virale ose për të kritikuar krijuesit dhe trendet.
Oxford sqaron se fjala e vitit mund të jetë edhe një shprehje, jo domosdoshmërisht një fjalë e vetme. Edhe zgjedhja e vitit të kaluar, “brain rot”, ishte dyfjalëshe. Fjalët dhe shprehjet analizohen sipas përdorimit dhe trendeve, dhe më pas ofrohet një listë e ngushtë për votim. Këtë vit, mbi 30.000 persona votuan online.
Në listën e ngushtë për fjalën e vitit ishin edhe:
aura farming: kultivimi i një imazhi publik tërheqës ose karizmatik përmes sjelljes që përcjell vetëbesim ose mister.
biohack: përpjekja për të përmirësuar performancën fizike ose mendore, shëndetin ose jetëgjatësinë përmes dietës, ushtrimeve, stilit të jetesës ose mjeteve të tjera si suplemente ose pajisje teknologjike.
rage bait: përmbajtje online e krijuar për të nxitur zemërim, me qëllim rritjen e trafikut ose angazhimit.
Edhe botues të tjerë kanë zgjedhur terma të lidhur me zhargonin online. Dictionary.com zgjodhi “6-7”, një frazë e përdorur nga Gen Alpha që mund të nënkuptojë “ashtu-ashtu” ose të shërbejë si një shprehje ekzlamative. Ndërsa Cambridge Dictionary zgjodhi “parasocial”, që i referohet një lidhjeje që dikush mendon se ka me një person të famshëm që nuk e njeh, zgjedhje e ndikuar nga reagimet e fansave ndaj fejesës së Taylor Swift me Travis Kelce.
Leave a Reply