Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali, mori pjesë sot në Konferencën e Gjashtë të Kryetarëve të Parlamenteve “Një botë me trazira: Bashkëpunimi parlamentar dhe multilateralizmi për paqe, drejtësi dhe mirëqënie për të gjithë”, organizuar nga Unioni Ndërparlamentar në Gjenevë.
Gjatë fjalës së saj Spiropali u ndal te angazhimi i Shqipërisë ndaj vlerave të demokracisë.
Kryeparlamentarja theksoi se vendi ynë, i cili pak më shumë se tre dekada më parë ishte ndër vendet më të izoluara në botë, sot kryeson garën për anëtarësim në BE dhe është lider rajonal në Ballkanin Perëndimor.
Spiropali tha se Shqipëria është e hapur ndaj bashkëpunimit ndërkombëtar, dypalësh e shumëpalësh, me qeveri të vendeve aleate dhe fqinje, si dhe me organizata ndërkombëtare.
“Shqipëria është tërësisht e angazhuar ndaj vlerave të demokracisë, pasi e di mirë nga përvoja se paqja dhe drejtësia nuk janë dhurata, por fryt i përpjekjeve të përbashkëta, i mësimeve të nxjerra gjatë shtet-formimit dhe konsolidimit të institucioneve.
Vendi im, i cili pak më shumë se tre dekada më parë ishte ndër vendet më të izoluara në botë, sot kryeson garën për anëtarësim në BE dhe është lider rajonal në Ballkanin Perëndimor. Presidenca Shqiptare e OSBE-së gjatë vitit 2020, si edhe kontributi si anëtare jo e përhershme e Këshillit të Sigurimit, dëshmuan qasjen bashkëpunuese dhe paqësore të Shqipërisë në zhvillimet ndërkombëtare.
Aktualisht, Shqipëria është anëtare e Këshillit të të Drejtave të Njeriut, ku është e angazhuar në promovimin dhe mbrojtjen e të drejtave themelore të njeriut kudo në botë, duke ngritur zërin kundër çdo padrejtësie dhe abuzimi”, tha gjatë fjalës së saj Spiropali.
Leave a Reply