Deputetja e Partisë së Lirisë, Monika Kryemadhi do të paraqitet sot në SPAK ku do tí komunikohet mbyllja e hetimeve për dosjen ‘Meta’, në të cilën është marrë e pandehur. Kryemadhit iu komunikuan akuzat e korrupsionit, pastrimit të parave dhe fshehjes së pasurisë më datë 29 maj, bashkë me Metën, ndërsa sot prokurorët e SPAK do ti japin dosjen e përfunduar të hetimeve.
Po sot, SPAK I komunikon nënës së saj Fatime Kryemadhit akuzën për të cilët do të merret zyrtarisht e pandehur. Ish-vjehrra e Ilir Metës është marrë disa herë në pyetje gjatë fazës së hetimeve, për shkak se SPAK thotë se ka ndihmuar ish çiftin të pastrojë paratë. Megjithatë ende është e paqartë se cilat janë akuzat zyrtare që rëndojnë ndaj Fatime Kryemadhit.
Ajo u paraqit dje në SPAK për tu njohur me akuzën, por u largua pasi oficeret e Byrosë Kombëtare të Hetimit i kërkuan që të gjejë një tjetër avokat, jo njëjtin me të cilin mbrohej e hetuara tjetër Ema Çokut. Prokurorët Altin Dumani, Arben Kraja dhe Sotir Kllapi, i komunikuan dje akuzën për pastrim parash Ema Çokut dhe korrupsion pasiv ish-kreut të AKEP, Pirro Xhixho. Tashmë që SPAK ka mbyllur hetimet, është gati të depozitojë në GJKKO dosjen që përfshiu tre hetime në një, aferën CEZ-DIA, skandalin e lobimit të LSI në SHBA dhe hetimin pasuror.
Meta që prej 21 tetorit të kaluar ndodhet në arrest me burg, ndërsa Kryemadhi me detyrim paraqitje, të dy të akuzuar për korrupsion pasiv, pastrim parash dhe fshehje pasurie. Kryemadhi-Meta, tashmë ligjërisht të divorcuar, akuzohen se ndër vite kanë ushtruar pushtetin e tyre për të përfituar pasuri në mënyrë të paligjshme dhe kanë fshehur burimin e tyre duke përdorur edhe familjarët.
Leave a Reply