Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mirëpriti sot në ndërtesën e Qeverisë një delegacion nga shteti amerikan i Iowa-s, të përbërë nga profesionistë të fushave të ndryshme si akademikë, ndërmarrës dhe ushtarakë, të udhëhequr nga Gjeneralmajori (në pension) Timothy Orr dhe Kryetarja e qytetit Johnston, Paula Dierenfeld.
Duke u uruar mirëseardhje në Kosovë dhe në ndërtesën e Qeverisë, kryeministri Kurti u shpreh i lumtur për bashkëpunimin e gjerë ndërmjet Republikës së Kosovës dhe shtetit të Iowa-s. Ai shprehu mirënjohje dhe vlerësim për gjithë ndihmën dhe mbështetjen që ky shtet i ka dhënë vendit tonë që nga ditët e para të çlirimit e deri më sot, si dhe për përkrahjen që vazhdon.
Kryeministri Kurti theksoi rëndësinë e partneritetit me Shtetet e Bashkuara të Amerikës në fushën e mbrojtjes, diplomacisë dhe zhvillimit, duke veçuar bashkëpunimin me shtetin e Iowa-s si të jashtëzakonshëm në këto drejtime.
Mirënjohje të veçantë për kontributin e tij të madh dhe miqësinë e thellë, kryeministri ia shprehu gjeneralit Orr, i cili 14 vjet më parë nisi bashkëpunimin ushtarak ndërmjet Kosovës dhe Iowa-s. Ai theksoi se ideja e gjeneralit Orr për programin “E gjithë Iowa për të gjithë Kosovën”, në kuadër të Bashkëpunimit Civil, po funksionon shumë mirë dhe përbën shembullin më të mirë se si bashkëpunimi ushtarako-civil mund të ndihmojë në ndërtimin e një demokracie funksionale dhe progresin ekonomik të vendit tonë, duke respektuar sundimin e ligjit dhe parimet e ekonomisë së tregut të lirë.
Gjatë takimit u diskutua për bashkëpunimin e deritanishëm si dhe për mundësitë e reja në fushat e mbrojtjes, arsimit dhe qeverisjes lokale.
Në emër të delegacionit, gjeneral Orr dhe kryetarja Dierenfeld falënderuan kryeministrin Kurti dhe Qeverinë e Republikës së Kosovës për mikpritjen dhe bashkëpunimin e vazhdueshëm.
Bashkë me kryeministrin në këtë takim ishin edhe ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, dhezëvendësministrja në detyrë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Liza Gashi.

Leave a Reply