Javën e kaluar Snapchat prezantoi aplikacionin e ri për watchOS ku përdoruesit e Apple Watch mund të aksesojnë rrjetin social në krahun e tyre.
Me këtë aplikacion të ri përdoruesit do të kenë qasje në Snapchat në platformat mobile, në ueb, tablet dhe Apple Watch. Përdoruesit tashmë mund të shohin mesazhet hyrëse dhe gjithashtu të replikojnë duke përdorur tastierën, Scribble, Dictation ose një emoji.
Kompania thotë se me aplikacionin e ri përdoruesit do të mund të bëjnë veprime të shpejta siç është vënia në dijeni e miqve të tyre për takimet që kanë lënë në një restorant ose të dërgojnë një replikë të shpejtë ndërsa janë në lëvizje.
Ndërsa ka qenë e mundur edhe më herët të shikoheshin mesazhet e Snapchat në Apple Watch duke i aktivizuar ato në iPhone, nuk kishte një mënyrë për të kthyer përgjigje.
Ky aplikacion ka për qëllim që përdoruesit të mund të kthejnë përgjigje të shpejta dhe jo të shikojnë përmbajtje si imazhe apo video. Kujtojmë se aplikacionet rivale Messenger dhe WhatsApp nuk kanë një aplikacion të dedikuar watchOS. /PCWorld Albanian
Leave a Reply