Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka shprehur
mirënjohje të thellë për të gjithë artistët dhe organizatorët që bënë të mundur koncertin madhështor “Kanga jonë”, i cili u mbajt në nderim të muzikës dhe kulturës shqiptare, si dhe për të përmbyllur me dinjitet Forumin Ndërkombëtar për Gratë, Paqen dhe Sigurinë (WPS).
“Një natë e paharrueshme,” e ka cilësuar presidentja Osmani këtë mbrëmje të veçantë që u zhvillua në kuadër të shënimit të 26-vjetorit të çlirimit të Kosovës. Koncerti ishte një homazh për artistin e njohur Musa Pipërku, i cili përmes veprave të tij la një gjurmë të pashlyeshme në muzikën shqipe.
Presidentja Osmani ka bërë të ditur se gjatë koncertit, ajo pati nderin t’i ndajë Medaljen Presidenciale të Meritave, post mortem, Musa Pipërkut, si shenjë respekti për kontributin e tij të jashtëzakonshëm në kulturën dhe muzikën kombëtare.
Kjo ngjarje ka qenë një ndër kulminacionet e Forumit Ndërkombëtar WPS, duke reflektuar përkushtimin e Kosovës ndaj paqes, sigurisë dhe promovimit të trashëgimisë kulturore.
Leave a Reply