Foda dhe Vojvoda para miqësores me Armeninë: Objektiv është fitorja dhe përgatitja për sfidat e shtatorit


Trajneri i Kosovës, Franco Foda dhe mbrojtësi Mërgim Vojvoda, kanë folur sot para gazetarëve në konferencën për shtyp në prag të ndeshjes miqësore ndaj Armenisë. Kjo përballje zhvillohet të premten, më 6 qershor, nga ora 19:00 në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.

Pas kësaj ndeshjeje, Dardanët do të përballen në një tjetër miqësore të hënën, më 9 qershor, ndaj Kombëtares së Komoreve, po ashtu në kryeqytet dhe me fillim nga ora 19:00.

“Lojtarët e rinj janë integruar shumë shpejtë në lojën e skuadrës. Ne kemi vëzhguar lojtarët e rinj para se t’i ftojmë ata. Kanë treguar performancë të mirë. E kanë vërtetuar në seancat e kaluara stërvitore. A do të angazhohen në ndeshjen e radhës mbetet të shihet nesër para lojës”, tha ai.

Foda theksoi se qëllimi kryesor është që dy ndeshjet t’i fitojnë.

“Nuk dëshirojmë të eksperimentojmë. Jemi duke u përgatitur mirë për fazën kualifikuese të Botërorit ndaj Zvicrës dhe Suedisë. Është me rëndësi që në fushë të dalim me lojtarët më të mirë të cilët i kemi përgatitur dhe do t’i ndjekim parimet tona. Lëndimet janë pjesë e futbollit, pjesë e përditshmërisë. Jam trajner që punoj me lojtarët që janë të gatshëm dhe me shëndet të mirë. Kur dihet që 3-4 lojtarë të rëndësishëm po mungojnë, do të mundohem të punoj me të tjerët. I kemi 25 lojtarë dhe do ta kenë mundësinë ta tregojnë veten para ndeshjeve të shtatorit”, shtoi Foda.

Sa i përket mungesave të rëndësishme në ekip, Foda nuk ka dashur të flasë shumë, duke u përqenduar tek fondi i futbollistëve që ka në dispozicion. “Tani jemi duke u përgatitur për ndeshjen e radhës që do t’i zhvillojmë. Jam i koncentruar në lojtarët që i kam në dispozicion. Do t’i aplikojmë gjitha metodat e punës dhe parimet tona të punës, do të jemi aktiv, do t’i bëjmë presion kundërshtarit me lojë agresive, do të mundohemi të luajmë lojë sa më të mirë ofensive. Dëshirojmë që paraqitja jonë të jetë sa më kompakte dhe stabile”, nënvizoi Foda.

I pyetur për situatën e Dardan Shabanhaxhajt dhe nëse është kontaktuar nga ai, trajneri Foda deklaroi: “Ne flasim me shumë lojtarë të cilët janë potencial që ta përfaqësojnë Kosovën. Ndër ta ka qenë edhe Dardani. Ato janë biseda interne dhe mbetet të shihet se për kë do të vendosë ai të luajë në të ardhmen”, tha Foda.

E mbrojtësi Mërgim Vojvoda theksoi rëndësinë e këtyre ndeshjeve për ruajtjen e vazhdimësisë, ndërtimin e frymës pozitive dhe inkuadrimin e gjeneratës së re në Kombëtare.

“Është detyra jonë që gjithmonë të vijmë e të luajmë për Kombëtaren. Të gjithë lojtarët kanë arsyet e tyre për mungesat. Çdo ndeshje është e rëndësishme dhe duhet të fitojmë, për të vazhduar me pozitivitet. Ndeshjet miqësore na shërbejnë edhe për futbollistët e rinj, që të ambientohen, të krijojmë një grup të fortë dhe të rrisim konkurrencën në ekip. Nga shtatori do të fillojmë ciklin e ri kualifikues. Shpresojmë që të na prijë fati, edhe pse kemi kundërshtarë të fortë në grup. Dy ndeshjet e para janë ndaj Zvicrës dhe Suedisë, shpresoj të marrim pikë. Besoj se kemi treguar lojë të mirë në të kaluarën dhe shpresoj të na prijë fati e të fitojmë”, tha Vojvoda.



Source link

Comments

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *