Detaje nga Presidenca për takimin e Osmanit me kreu i shtetit të Antigua dhe Barbuda


Me ftesë të Presidentes së Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, filloi vizitën zyrtare në vendin tonë kreu i Shtetit të Antigua dhe Barbuda, Sir Rodney Errey Lawrence Williams, Guvernator i Përgjithshëm dhe zonja e parë e Antigua dhe Barbuda.

Në takim, Osmani shprehu mirënjohjen e thellë për njohjen që Antigua dhe Barbuda i ka bërë Republikës së Kosovës në vitin 2015, duke e cilësuar këtë akt si dëshmi të qëndrimit parimor të këtij shteti dhe kontribut të çmuar për forcimin e pozitës ndërkombëtare të Kosovës.

Gjatë diskutimit, të dy palët ritheksuan përkushtimin për thellimin e mëtejmë të marrëdhënieve bilaterale, duke u bazuar në respekt të ndërsjellë dhe vlera të përbashkëta demokratike.

 Osmani theksoi rëndësinë e bashkëpunimit në fusha si diplomacia ekonomike, teknologjia e informacionit, turizmi dhe bujqësia.

Ajo vuri në pah gatishmërinë e Kosovës për të lehtësuar kontaktet në mes komunitetit të biznesit për të eksploruar mundësitë për investime dhe shkëmbime tregtare.

Ndër të tjera, në takim u diskutua edhe për mbështetjen e Kosovës brenda komunitetit të shteteve të Karaibeve (CARICOM).

Presidentja vlerësoi rolin e rëndësishëm të Antigua dhe Barbuda në rajon dhe ndikimin që zëri i saj mund të ketë në fuqizimin e Kosovës në arenën ndërkombëtare.

Në kuadër të bashkëpunimit shumëpalësh, Presidentja Osmani shprehu gatishmërinë e Kosovës për të qenë një partnere konstruktive në forume ndërkombëtare dhe për të koordinuar me Antigua dhe Barbuda në çështje prioritare të përbashkëta, përfshirë qëndrueshmërinë klimatike, transformimin digjital dhe paqen e sigurinë globale.

Sipas Presidentes Osmani ky takim është një hap i rëndësishëm drejt një partneriteti më të fuqishëm mes dy vendeve, ndaj theksoi përkushtimin për të vazhduar dialogun dhe bashkëpunimin në të ardhmen, në dobi të qytetarëve të të dyja vendeve.



Source link

Comments

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *