Shtatë ditë zie nacionale të shpallur nga Qeveria për tragjedinë në Koçan përfundojnë sot, por me intensitet të pazvogëluar dhe të paparë do të vazhdojë hetimi i cili do të jetë i drejtë dhe i hollësishëm, porositën sot në konferencë për shtyp zëdhënëset qeveritare Maria Miteva dhe Venera Latifi-Azizi.
Miteva bëri thirrje të mos spekulohet dhe me narrativa të pavërteta dhe manipuluese të keqpërdoret tragjedia në Koçan sepse, siç tha, ka hetim gjithpërfshirës në të cilin janë përfshirë dhe arrestuar 34 persona dhe ai ende nuk ka përfunduar.
“Duhet të lejojmë organet e ndjekjes ta kryejnë hetimin – në mënyrë të hollësishme dhe të drejtë. Nuk do të donim të lejohet pengim nga rrjete të ndryshme – përmes thirrjeve për destabilizim dhe skenarë të ndryshëm dhe në çfarëdo lloj mënyre ta dëmtojnë këtë proces. Nga kjo të gjithë duhet të dalim më të fuqishëm, me drejtësi të reflektuar. Kjo qeveri u zgjodh për ta ndërprerë rrethin e indiferencës, ta ripërtërijë besimin atje ku ishte humbur dhe të kujdeset që asnjë e ardhme të mos formohet nga gabimet e së kaluarës. Nuk do të prnaojmë arsyetime të cilat tejet shpesh i lanë qytetarët të pambrojtur. Atje ku të tjerët heshtën, ne do të veprojmë. Në këtë moment të pikëlimit, qëndrojmë së bashku me familjet e prekura dhe premtojmë masa urgjente. Angazhimi ynë është i qartë – drejtësi për të prekurit, transparencë në çdo hap dhe reforma urgjente të cilat do të sigurojnë që kjo të mos përsëritet asnjëherë”, theksoi Miteva.
Zëdhënësja Venera Latifi-Azizi tha se ngjarja tragjike “na tronditi të gjithëve duke na bashkaur në dhimbje dhe pikëllim të thellë që i tejkalon fjalët”.
I kumtoi të gjitha hapat e ndërmarrë nga Qeveria për t’i ndihmuar familjet e të lënduarve, shpenzimet që i mbulon, paralajmëroi se prej nesër do të fillojë pagesa e mjeteve për ndihmë nga Kryqi i Kuq dhe se “hetimi do të vazhdojë me intensitet të paparë”. Tregoi edhe për ndihmën nga partnerët ndërkombëtarë dhe solidaritetin i cili, siç tha, nuk njeh kufij.
“Dhe derisa sot është dita e fundit e zisë nacionale, përkushtimi dhe angazhimi i Qeverisë për t’i mbështetur drejtpërdrejtë të prekurit dhe për ta zbuluar të vërtetën për këtë tragjedi do të vazhdojë me intensitet të paparë… Hetimi për këtë ngjarje tragjike vazhdon me përkushtim të plotë dhe angazhim të madh nga të gjitha institucionet përgjegjëse. Qeveria është e vendosur ta zbardhë të vërtetën dhe të kujdeset që të gjithë që janë prëgjegjës të përgjigjen për veprimet e veta. Askush nuk do të mund të fshihet dhe drejtësia do të përmbushet… Në këtë dhimbje të thellë nuk jeni vetëm, shteti do të qëndrojë afër jush – jo vetëm sot, por deri në fund të këtij procesi, në të cilin do të zbardhim literalisht gjithçka”, theksoi Latifi.
Leave a Reply