“Krahasuar me fundjavën e kaluar, ka pasur rënie të lehtë të shkeljeve për parkim jo të rregullt – 451, ndërsa janë regjistruar 15 raste të ndezjes së semaforit të kuq dhe 28 shkelje nga këmbësorët, në përputhje me Ligjin për siguri në komunikacionin rrugor”, thuhet në njoftimin e Ministrisë
Albin REKA
Shkup, 18 mars – Në kuadër të kontrolleve të qarkullimit të kryera gjatë datave 13, 14, 15 dhe 16 mars janë lëshuar gjithsej 2228 urdhërpagesa dhe gjoba, duke evidencuar një numër të konsiderueshëm shkeljesh në komunikacionin rrugor. Nga këto, 718 shkelje lidhen me tejkalimin e shpejtësisë së lejuar, një problem që vazhdon të mbetet një ndër shkaqet kryesore të aksidenteve rrugore. Po ashtu, janë regjistruar 106 raste ku drejtuesit e mjeteve ishin nën ndikimin e alkoolit, duke rrezikuar seriozisht sigurinë e tyre dhe të tjerëve. Ndërkohë, 215 shkelje kanë të bëjnë me drejtimin e automjeteve pa patentë shofer, një veprim jashtëzakonisht i rrezikshëm dhe i ndaluar. Këto shkelje përbëjnë një shqetësim të madh për sigurinë në rrugë dhe kërkojnë masa më të forta për kontrollin dhe edukimin e drejtuesve të mjeteve, thonë në Ministrinë e Punëve të Brendshme.
“Gjatë fundjavës së fundit, sipas shifrave nga kontrollet e trafikut policor në të gjithë vendin, duket se me ndonjë rregull të pashkruar për përdoruesit e rrugës, ka pasur një lloj relaksimi sa i përket respektimit të rregullave dhe rregulloreve të komunikacionit”, thonë nga MPB.
Po ashtu, për shkak të mos respektimit të dispozitave lidhur me përdorimin e detyrueshëm të rripit të sigurimit, janë evidentuar 171 kundërvajtje, plus 12 kundërvajtje për qytetarët që drejtonin motoçikleta pa helmetë mbrojtëse, si dhe janë shqiptuar 45 gjoba për kundërvajtje për përdorimin e celularit gjatë drejtimit të mjetit.
“Njëkohësisht, (krahasuar me fundjavën e kaluar) ka pasur rënie të lehtë të shkeljeve për parkim jo të rregullt – 451, ndërsa janë regjistruar 15 raste të ndezjes së semaforit të kuq dhe 28 shkelje nga këmbësorët, në përputhje me Ligjin për siguri në komunikacionin rrugor”, thuhet në njoftimin e Ministrisë. Paraprakisht, Ministria e Punëve të Brendshme njoftoi se nga fillimi i muajit deri më 15 shkurt janë lëshuar gjithsej 18.132 urdhërpagesa për kundërvajtje rrugore. Shumica e këtyre shkeljeve lidhen me tejkalimin e shpejtësisë, me 6056 raste të regjistruara. Kjo është pasuar nga parkimi i paligjshëm, me 4213 shkelje, dhe drejtimi i automjeteve pa patentë shoferi, me 1510 raste. Ky informacion tregon një tendencë të vazhdueshme për mosrespektimin e rregullave të qarkullimit dhe thekson nevojën për masa të mëtejshme për sigurimin e rendit dhe sigurisë në rrugë. (koha.mk)
Leave a Reply