Gjatë gjithë pjesës së parë ndaj Komos, Milani nuk dukej si një ekip. Sigurisht, ndoshta rasti fillestar i Musahut mund ta ndryshonte ndeshjen dhe t’i jepte një drejtim tjetër nga ai që pamë më vonë, por përtej atij rasti kuqezinjtë u kufizuan ekskluzivisht në lojën me kundërsulme dhe Komo dominoi për 45 minuta, madje pati disa raste për të rrezikuar Menjanë.
Me pak fjalë, në “San Siro” pamë një Milan rastësor, të vendosur keq në fushë. Për më tepër i mungoi presioni dhe qarkullimi i topit. U pa qartë se kuqezinjtë prisnin topin për të krijuar mundësi kundërsulmesh. Të paktën në pjesën e dytë ra në sy dëshira, por jo loja, dhe u admiruan dy gola të bukur. Të gjithë përmirësuan lojën e tyre, veçanërisht Pulisiç dhe rasti i Abrahamit kur shërbeu për Reijndersin. Mendoj se disa ndryshime të bëra nga trajneri në lojë e sipër, veçanërisht në mesfushë, sollën përfitimet e dëshiruara për Milanin.
Në atë ekip, për shembull, Fofana nuk mund të qëndrojë në stol. Dhe në të njëjtën mënyrë unë vazhdoj të pyes veten pse Tomori nuk është titullar. Në përgjithësi, përshtypja ime është se këtij Milani i mungon personaliteti: mbrojtja nuk e “kërcënon” kurrë kundërshtarin dhe vazhdimisht tërhiqet, plus kur dikush merr topin ata gjithmonë kthehen prapa.
Vetë Uoker, i cili ka qenë gjithmonë një lojtar agresiv dhe ofensiv, më është dukur shumë pasiv që pas zbarkimit të tij në Milano. Për t’i përmbledhur gjërat, për mendimin tim mund të themi se pas 90 minutave të së shtunës, rezultati për Milanin është i dobishëm, pak a shumë si në Leçe një javë më parë. Kam lexuar se grupi punon mirë, por kur lojtarët hynë në fushë dukej se kishin dhënë gjithçka në stërvitje dhe nuk kishin më energji për të shpenzuar në ndeshje.
Personalisht, ende nuk e kam kuptuar nëse Konseisao ka arritur të vlerësojë lojtarët që ka në dispozicion në këto tre muaj e gjysmë apo nëse i vlerëson në një mënyrë gjatë javës dhe më pas përfundon duke parë diçka tjetër në fushë sapo ka tri pikë për të rrëmbyer. Për mua kjo është një mungesë e rëndë.
PANORAMASPORT.AL

Leave a Reply