Familjarët dhe banorët tjerë të Zhelinës thonë se djali i tyre është akuzuar pa faj, ndërsa akuzojnë se prej muajit shtator mbahet në paraburgim, kurse gjatë arrestimit është rrahur dhe keqtrajtuar nga policia
Urim HASIPI
Tetovë, 14 mars – Familjarë të Besjan Nuhiut dhe banorë të fshatit Zhelinë kanë shprehur revoltën e tyre për, siç thonë, mbajtjen e padrejtë të Besjanit në paraburgim. Familjarët para Gjykatës Themelore të Tetovës kërkuan të lirohet nga paraburgimi i riu sepse i njëjti ka probleme të rënda mendore. Gjatë protestës u tha se ekspertiza ligjore ka thënë qartë se ai nuk mund të kuptojë përgjegjësinë ligjore, por përsëri gjykata dhe prokuroria e injoruan këtë dhe vendosën ta mbajnë të mbyllur. Sipas protestuesve, kjo nuk është drejtësi, kjo është padrejtësi e pastër përderisa kriminelët janë të lirë, ndërkohë që njerëzit e pafajshëm dhe të sëmurë mendorë po burgosen për shkak të një sistemi të prishur.
“Të gjithë e dimë se çfarë djali është Besjani. Ai nuk di as të shkruajë as të lexojë, por është një njeri i qetë dhe i sjellshëm me të gjithë. Ne e takojmë çdo ditë dhe e dimë se nuk mund të dëmtojë askënd. Por, çfarë bëri prokuroria, e mbylli një të sëmurë mendorë, që nuk ka mendje as për të kuptuar ndëshkimin që po i bëjnë. Ekspertiza mjekësore ka thënë qartë se ai nuk është në gjendje të kuptojë përgjegjësinë ligjore dhe gjykata me prokurorinë e injoruan këtë fakt dhe vazhdojnë ta mbajnë të mbyllur”, tha Venhar Kadriu, protestues.
Familjarët thonë se djali i tyre është akuzuar pa faj, ndërsa akuzon se prej muajit shtator mbahet në paraburgim, kurse gjatë arrestimit është rrahur dhe keqtrajtuar nga policia.
“Unë si nënë e dua djalin tim në liri, jo një njeri pa faj të qëndrojë në burg dhe ai që e ka rrahur djalin dhe i ka bërë sherr të rëndë të shëtitet i lirë. Fëmija im nuk ka qenë fëmijë që ka bërë probleme, diagnozën e ka pasur që nga i vogël, nuk di shkrim-lexim dhe ka probleme me përqendrimin. Kjo është padrejtësi, nuk ka drejtësi këtu. Unë e dua djalin tim në liri dhe përveç kësaj, polici ma ka rrahur djalin në burg dhe djali ka qenë pa ndjenja. Tash, kur e shoh djalin, djali është humbur. Ai nuk di as të pastrohet, as të rregullohet. Të gjithë e njohin djalin tim dhe askujt nuk i ka bërë dëm. Unë si prind e dua djalin në liri nesër ta kem të lirë”, thotë Fetie Nuhija, nëna e Besjanit.
Besiani po vuan paraburgimin në bazë të akuzës për vetëkënaqje në praninë e një të mituri. Babai i një 11-vjeçari kishte dorëzuar padi në polici, ndërsa kishte pretenduar se 37-vjecari Besjan Nuhiu, më datë 3 janar, kishte dashur të kryente marrëdhënie seksuale me djalin e tij të mitur. (koha.mk)
Leave a Reply