Ministria e Drejtësisë ka reaguar ndaj disa raportimeve mediatike në Kosovë, të cilat kanë pretenduar se në kuadër të një aksioni të udhëhequr nga Prokuroria Speciale, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës dhe Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë (AKI), është arrestuar edhe avokatja shtetërore Nexhmije Karaqi.
Sipas Ministrisë së Drejtësisë, ky informacion është plotësisht i pavërtetë dhe i pabazuar. Në sqarimin zyrtar thuhet se avokatja Karaqi, pjesë e Avokaturës Shtetërore në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë, nuk është arrestuar, nuk është ndaluar, nuk është intervistuar dhe nuk është subjekt i asnjë procedure nga organet e drejtësisë.
Ministria bën të ditur se raportimet e gabuara kanë ardhur si pasojë e një identifikimi të pasaktë, të bazuar vetëm në iniciale të ngjashme, pa asnjë konfirmim zyrtar nga institucionet kompetente.
Po ashtu, theksohet se publikimi i emrit dhe fotografive të avokates Karaqi pa konfirmim zyrtar përbën cenim të reputacionit dhe shkelje të së drejtës së personalitetit, në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe legjislacionin civil në fuqi.
Ministria e Drejtësisë vlerëson se raportimet jo të sakta krijojnë konfuzion te publiku dhe dëmtojnë besimin në institucione dhe në informimin e drejtë.
Në këtë kontekst, Ministria u ka bërë thirrje të gjitha mediave që kanë publikuar informacionin e pasaktë të bëjnë korrigjimin e menjëhershëm të lajmit, të tërheqin emrin e avokates Karaqi nga raportimet dhe të publikojnë demantin, në të njëjtën mënyrë siç është publikuar lajmi fillestar.
Ministria e Drejtësisë ka ritheksuar përkushtimin e saj për transparencë dhe informim të saktë të opinionit publik.

Leave a Reply