Mbrëmë në Kumanovë u mbajt koncerti solemn i edicionit të 9-të të organizuar nga Shoqata “Pro Art – Simfonik”, i cili për herë të parë solli një përvojë unike artistike për publikun vendas.
Skena u shndërrua në një tempull të emocioneve, ku muzika dhe historia u gërshetuan në mënyrë të paharrueshme përmes zërit të fuqishëm dhe prekës të sopranos së njohur Besarta Murtezani, e shoqëruar nga Ansambli “Dardanus”.
Ky edicion solli për herë të parë një ndërlidhje të thellë shpirtërore: tingujt e lashtë arbëreshë u përqafuan me meloditë e pasura të trevës së Shkodrës – një udhëtim i ndjerë përmes kujtesës, gjuhës dhe krenarisë kombëtare. Publiku u përfshi nga emocione të rralla, teksa kënga arbëreshe – e lindur përtej detit dhe e rritur në heshtjen e kohës – u rikthye fuqishëm në zemrat tona.
“Kjo mbrëmje është një homazh për trashëgiminë, për gjuhën, për kujtesën kolektive të një populli që këndon edhe kur historia hesht. Ansambli Dardanus dhe sopranoja Besarta Murtezani po ecin me hapa të sigurt në skenat më të rëndësishme të rajonit dhe Europës, duke e përfaqësuar denjësisht këngën më të bukur shqiptare – atë arbëreshe, rrënjët e së cilës janë të thella, përtej detit e përtej historisë së heshtur. Jemi të privilegjuar që i kishim sonte në mesin tonë, duke na dhuruar art të vërtetë dhe krenari të pastër,” – u shpreh Orhan Shaqiri, drejtues i shoqatës “Pro Art – Simfonik”.
Ky projekt i veçantë u realizua me mbështetjen financiare të Komunës së Kumanovës, në bashkëpunim me Këshillin Komunal, si dhe me ndihmën e partnerëve: kompania “Top Driver”, Komuna e Likovës, dhe media e bashkëpunëtorë të tjerë lokalë, të cilët mundësuan që kjo natë të mbetet gjatë në kujtesën e qytetit.(INA)
Leave a Reply