Ndërkohë që Kosova vazhdon të jetë e mbajtur nën masa ndëshkuese nga Bashkimi Evropian, pavarësisht përpjekjeve të saj për demokratizim dhe forcimin e sundimit të ligjit, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka kritikuar ashpër qasjen e BE-së ndaj Kosovës dhe Serbisë.
Në fjalimin e tij gjatë rilansimit të Programit “Willy Brandt” për zgjerimin e BE-së, organizuar nga grupi i Socialistëve dhe Demokratëve në Parlamentin Evropian, Kurti theksoi se angazhimi i Kosovës është vlerësuar vetëm në fjalë, ndërsa Serbia ka marrë mbështetje konkrete, pavarësisht akuzave për strehimin e personave të përfshirë në sulmin në Banjskë.
“Përpjekjet tona për demokraci dhe sundim të ligjit janë pranuar me fjalë të mira, por shumë rrallë janë pasuar me veprime konkrete. Politikat tona janë përshëndetur, por jo mbështetur. Ndërsa ato të fqinjit tonë verior – që shpesh janë në kundërshtim me vlerat e BE-së – janë mbështetur, pavarësisht se ai sot strehon terroristë dhe provokon destabilizim,” tha Kurti.
Sipas tij, lojërat e dyfishta të Serbisë mes Moskës dhe Brukselit nuk mund të vazhdojnë, ndërkohë që Kosova është e vendosur të ndjekë rrugën e integrimit evropian dhe është e gatshme të bëhet pjesë e Bashkimit Evropian.
Në hapjen e programit “Willy Brandt”, përfaqësues të lartë të BE-së theksuan angazhimin e tyre për thellimin e bashkëpunimit me vendet që synojnë anëtarësimin në Bashkimin Evropian.
“Misioni ynë është i qartë: ta bëjmë Evropën të plotë dhe të kompletuar,” u shprehën ata në mesazhin e hapjes së programit.
Leave a Reply