Uncategorized

Motra e Saimir Kodrës flet për bashkëpunimin me Elgit Dodën dhe marrëdhënien me gazetarin

Kënga e Elgit Dodës “Fatal Love” bëri goxha zhurmë dhe u pëlqye shumë. Si pjesë e triologjisë së publikuar në bashkëpunim me Donald Veshajn kënga u diskutua gjatë dhe rreth saj qarkulluan skenare të ndryshme. E jo pak vëmendje mori edhe protagonistja e klipit.

Ajo quhet Dona Kodra dhe është motra e Saimir Kodrës. Sot Dona ka folur në një intervistë për herë të parë për bashkëpunimin me Elgitin dhe vëllain e saj, gazetarin e njohur.

Dona u shpreh se kjo ishte hera e dytë por e quajti të fundit që del në një videoklip. E pyetur se si ishte të luante në klip me një burrë të martuar si Elgiti, Dona tha se ai është shumë modest, i mirë dhe punëtor.

“Ishte hera e dytë dhe e fundit. E para ishte me Young Zerkën. Bashkëpunimi me Elgitin ishte shumë i bukur. Nuk ishte e vështirë t’i qëndroja pranë Elgitit edhe pse është i martuar. Ma bëri shumë të thjesht. Një djalë shumë i mirë dhe punëtor.”- tha ajo në një intervistë për “Ditë e re”.

E sigurisht nuk mund tu shpëtonte pyetjeve rreth të vëllait për të cilin tha se është shumë mbështetës. Teksa e përshkroi si një natyrë të rreptë Dona tha se me të moderatori është shumë i mirë.

“Saimiri është shumë mbështetës. Ne e kuptojmë njëri-tjetrin shumë mirë. Është vetë artist dhe nuk ka si të më kundërshtojë. Kemi diferencë të madhe moshe. Kam dhe një motër tjetër të madhe. Saimiri është një natyrë e rreptë me të tjerët por me mua është një dashuri e vërtetë. Unë krenohem me atë, kam një mrekulli që ma ka falur Zoti por nuk e përmend shpesh sepse kam identitetin tim. Përveçse më ka hapur dyer nuk më ka mbyllur asnjë derë deri tani.”- u shpreh Dona.

Ajo po ashtu tha se ekrani është ëndrra e saj në sirtar dhe se do i pëlqente një emision i përditshëm. Por shtoi se aktualisht këtë ëndërr e ka lënë mënjanë dhe nuk është e fokusuar.

“E kam menduar të bëhem pjesë e ekranit dhe e kam vendosur si ëndërr në sirtar. Nuk më venitet si pasion por ndoshta nuk ka ardhur momenti i duhur. Do më pëlqente një emision mëngjesi, i përditshëm. Edhe pse gjumin e dashuroj.”– tregoi blogerja.