Uncategorized

Sul Mema del kundër Brojës: Lojtar indiferent, do më shumë Southamptonin se Shqipërinë

Shqipëria luajti dy miqësore këto ditë, ku humbi ndaj Spanjës në fund, por bëri një super ndeshje dhe barazoi dje ndaj Gjeorgjisë. Pikërisht barazimi 0-0 i Shqipërisë ndaj Gjeorgjisë ka nxjerrë në pah problemet me sulmit kuqezi që vazhdon të mos krijojë aq sa pritet prej tij.

Një prej emrave më të shumëpritur ishte ai i Armando Brojës, i cili në ndeshjen miqësore të luajtur në “Air Albania” nuk arriti të shfaqte vlerat e tij. Sipas Sulejman Memës, specialist i Sektorit Teknik të FSHF, sulmuesi nuk ishte impenjuar maksimalisht në këtë sfidë dhe duke folur për “SuperSport” ai nuk kurseu kritikat ndaj sulmuesit i cili aktivizohet në Premier Ligë.

“I gjithë stadiumi oshtinte kur merrte topin Broja. Ai duhet të jetë i impenjuar si është me Sauthempton. Duhet të jetë i pranishëm edhe në miqësoret e Kombëtares për të treguar vlerat që ka.

Kështu, i bën nder vetes dhe Shqipërisë. Unë e kam parë të sillej me indiferentizëm në ndeshjen e djeshme”, ishin fjalët e Sul Memës. Kujtojmë se Broja u zëvendësua direkt pas pjesës së parë në ndeshjen e djeshme nga Reja.

Një tjetër emër i njohur që ka komentuar Brojën është edhe ish-trajneri i Kombëtares, Astrit Hafizi, të cilin siaps tij dikush e ka nënvlerësuar në Kombëtare, nuk i kanë dhënë vendin që duhej të kishte.

“Të flasim troç, Broja është një lojtar që dikush e ka nënvlerësuar më përpara. Nuk i kanë dhënë atë që duhej në impaktin e parë që ka dhënë si sulmues me mënyrën e lojës. Por, mendoj se kanë gabuar, duke pasur parasysh që një si ai jep shenja të qarta dhe dallohet në aftësitë që ka.

Sot Broja pa diskutim me punën e tij ka arritur të jetë në një moshë shumë të re lider i sulmit tonë.

Ndoshta një tip lojtari që i shkon nga mbrapa mund të jetë adapt për të, jo të vendosen dy sulmues në të njëjtën kohë. Broja ka nevojë për një futbollist që e mbështet lojën e tij, që të jetë i zgjuar dhe të shkojë në zonat ku ai krijon hapësira. Në syrin tim sulmuesit e tjerë nuk i kanë këto karakteristika”, tha Hafizi në një intervistë për Panorama Sport.