• July 28, 2021
 Stadiumi i Gjilanit sikur seriali “100 vitrinat”, punimet duhej të mbaronin në vitin 2020, klubet nga Anamorava vazhdojnë të vuajnë


Nënkampionia e Kosovës, Drita e Gjilanit do ta zhvillojë sonte ndeshjen më të rëndësishme në histori të klubit, ku do të përballet me gjigantin holandez, Feyenoord.

Për shkak të mungesës së infrastrukturës, gjegjësisht stadiumit adekuat, klubi gjilanas do të duhet të udhëtojë në kryeqytet, për t’u përballur me Feyenoordin në kuadër të rundit të dytë eliminator në Ligën e Konferencës.

Çështja e ndërtimit të stadiumit të Gjilanit ka qenë vazhdimisht tema më e përfolur në vitet e fundit në futbollin e Kosovës, me punimet që janë zhagitur në masë të madhe.

Punimet në këtë implant sa nisen e ndalen, ndërkaq përgjegjësinë nuk e merr askush, derisa në fushata zgjedhore, premtimet janë jo të pakta për këtë çështje.

Tani Zyra Kombëtare e Auditimit ka gjetur rastin, ku punimet nuk janë realizuar siç parashihej me kontratë, duke pasur ngecje në këtë projekt pasi punimet duhej të mbaronin në vitin 2019, respektivisht në vitin 2020.

Gjetja e ZKA-së si në vijim:

 Stadiumi i qytetit në Gjilan, vlera e kontratës 3,121.346 euro, duhej të përfundonte më 23 tetor 2020, ndërsa deri në fund të vitit 2020 ishin realizuar vetëm 54.29 përqind e punëve të kryera. Më tutje, në muajin tetor 2020, ishte bërë amandamentimi i kontratës ku janë paraparë ndryshime në punët që duhet kryer pa paraparë kohën e kryerjes dhe aspektin financiar të ndryshimeve nga kontrata bazë.

Në lidhje me këtë çështje, FrontOnline ka kontaktuar me zyrtarin e Gjilanit, Drilon Sylejmanin, ish-futbollistin dhe trajnerin e Dritës U19, Genc Sërmaxhaj për ta komentuar këtë çështje.

Ndërkaq, nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, zyrtarët e këtij dikasteri nuk janë përgjigjur në telefon.

Sylejmani: Le të jetë viti i fundit që stadiumi të ketë hijen e stadiumit dhe jo atë të një punishteje

Menaxheri përgjithshëm në Departamentin e Sportit te Gjilani, Drilon Sylejmani duke folur në lidhje me këtë çështje, është shprehur i zhgënjyer me zhagitjen e punimeve.

Sipas tij, klubi ka mbetur “peng” i punimeve të stadiumit tash e disa vite.

“Kemi mbetur peng i punimeve të stadiumit tani e disa vite pasi fusha në radhë të parë është e dëmtuar dhe ka nevojë sa më shpejt të ndryshohet tapeti. Ne kemi zyret tona në stadium dhe po vazhdojmë punën në ato ambiente të ngushta dhe jo fort të përshtatshme për punë”, ka thënë Sylejmani për FrontOnline, duke vazhduar:

“Kemi nevojë për zhveshtore të reja dhe tribuna për tifozët, pasi me lejimin e tifozët në një përqindje, ne kemi nevojë më shumë se asnjëherë më parë për ta”.

Për fund, ai shpreson se ky të jetë viti i fundit i punimeve në stadium.

“Tashmë punimet po shkojmë në drejtim të duhur, megjithëse me ritëm të ngadaltë, shpresojmë që ky të jetë viti i fundit që stadiumi të ketë hijen e stadiumit dhe jo atë të një punishteje”, përfundoi Sylejmani.

“Vonesat e tilla dëmtojnë klubet, të cilat zhvillojnë ndeshjet në terrene të veta”

Çështjen në fjalë e ka komentuar edhe ish-futbollisti i Dritës dhe tashmë trajner te grupmosha U19, Genc Sërmaxhaj.

Sërmaxhaj ka deklaruar se një gjë e tillë iu shkakton problemeve klubeve.

“Natyrisht se vonat e tilla dëmtojnë klubet, të cilat kanë për të zhvilluar ndeshjet në terrenet e tyre. Gjithashtu, përveç humbjeve financiare që parashihet të fitojnë me biletat, mund të humbasin edhe me lëndime eventuale të lojtarëve nëse ndeshjet luhen në terrene sintetike”, tha Sërmaxhaj, duke vazhduar:

“Një qytet kryesor patjetër se duhet t’i kishte kishte tashmë stadiumet e rregulluara, e jo me vonesa të tilla”.

Për fund, sipas tij, në terrene profesionale, ndeshjet do të ishin më të bukura për t’u parë.

“Prandaj, në aspektin profesional, në terrene të mira infrastrukturore, edhe loja do të dukej më e bukur për t’u parë. Më pas, edhe cilësia do të ngritej kur luhet në terrene të rrafshta e me bar cilësor. Sa më parë duhet të rregullohen stadiumet në të gjitha vendet pa dallim”, përfundoi të enjten për FrontOnline Genc Sermaxhaj.

 



Source link

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Related post

Contact Us