• July 30, 2021
 Sekuestrimi i 1 kg drogë, e destinuar për pushuesit/ Trafikantët e kokainës përplasen me Policinë në Durrës (video)




LEONIDHA MUSAJ/ Dy trafikantë të lëndëve narkotike tentuan t’i shmangen policisë, duke përplasur automjetin e Forcave të Rendit që kishte ngritur postbllok, ndërsa njëri prej tyre ka tentuar të qëllojë me armë zjarri.

Ngjarja u regjistrua paraditen e djeshme në zonën nënkalimit të Urës së Dajlanit në Durrës. Policia lokale bëri me dijë se ka sekuestruar mbi 1 kg kokainë, ndërsa në pranga përfunduan shtetasit Arian Plaku dhe Edmond Gjyzeli.

Arrestimi i tyre u bë pasi në makinën me të cilën ata udhëtonin nga Durrësi në drejtim të Plazhit u gjet 1 kg e 65 gramë lëndë narkotike e llojit kokainë si dhe një armë zjarri pistoletë dhe disa fishekë.

Agjentët e sektorit të Antidrogës kishin siguruar në rrugë operative informacione të detajuara dhe kishin organizuar operacionin “Nënkalimi” për arrestimin e Plakut dhe Gjyzelit, i pari i proceduar edhe më herët për veprat penale “Prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike”.

Burime nga policia thanë për gazetën se nga hetimet rezulton se dy të arrestuarit kishin si synim që lëndën narkotike të shitej në tregun vendas përgjatë sezonit turistik veror.

OPERACIONI

Prej afro tri javësh, agjentët e Policisë së sektorit të Antidrogës mbanin nën vëzhgim shtetasit Arian Plaku, 46 vjeç dhe Edmond Gjyzelin, 37 vjeç, për të cilët kishin siguruar informacione se ushtronin aktivitetin e paligjshëm.

Mëngjesin e djeshëm, policia organizoi operacionin për arrestimin e tyre në flagrancë. Gjatë aksionit, Edmond Gjyzeli ka përplasur automjetin e policisë dhe ka tentuar të qëllojë me armë zjarri, por është neuatralizuar nga Forcat RENEA.

“Finalizohet operacioni policor i koduar “Nënkalimi”. Sekuestrohen në cilësinë e provës materiale 1 kg e 63 gr. lëndë narkotike kokainë, 1 armë zjarri dhe municion luftarak. Në kuadër të operacionit ‘Mbikalimi’ u arrestuan në flagrancë shtetasit: A. P., 46 vjeç, banues në Durrës, i dënuar më parë për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe E. Gj., 37 vjeç, banues në Durrës. Arrestimi i këtyre shtetasve u bë bazuar në informacionet e siguruara në rrugë operative për implikimin e këtyre shtetasve në veprimtarinë kriminale të shitjes së lëndëve narkotike në Durrës.

Fillimisht, shërbimet e Policisë, rreth orës 14:15, në vendin e quajtur Nënkalimi i Urës së Dajlanit, kanë ndaluar mjetin tip “BMW”, me drejtues shtetasin E. Gj. dhe pasagjer shtetasin A. P. Gjatë kontrollit në mjet, në pjesën e poshtme të sediljes, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale 1 kg e 63 gr. lëndë narkotike të dyshuar kokainë.

Në momentin e ndalimit, gjatë kontrollit fizik, shtetasit E. Gj. iu gjet në brez një armë zjarri pistoletë me 14 fishkë. Ky shtetas, gjatë ndalimit të mjetit nga forcat e Policisë, ka goditur automjetin e agjentëve të Forcës së Posaçme Operacionale me automjetin e tij dhe gjatë arrestimit, ka tentuar të nxjerrë nga brezi armën e zjarrit”, deklaroi policia.

Gjithashtu, në vijim të operacionit janë arrestuar edhe dy bashkëpunëtorët e tyre, shtetasit Ilir Peraj, 52- vjeç, person me rrezikshmëri të lartë pasi ka qenë i dënuar për vrasje e prostitucion, si dhe 60-vjeçarin Stavri Marku, të dy banues në Tiranë.

Policia thotë se ata janë “të dyshuar si të implikuar në këtë veprimtari kriminale”.

HETIMET

Policia ka dyshime se dy personat e arrestuar kishin për qëllim ta shisnin lëndën narkotike pikërisht në qytetin e Durrësit përgjatë sezonit veror.

Kemi më shumë se tri javë që i mbajmë në vëzhgim. Nga informacionet në rrugë operative dhe me metoda speciale kemi mësuar se droga do të shitej në Durrës me pakicë, pra me doza. Gjatë sezonit të verës, popullsia katërfishohet dhe pushuesit dhe turistët kanë kërkesa për lëndë narkotike.

Ndaj edhe trafikantët shfrytëzojnë zezonin veror për të zhvilluar aktivitetin e tyre kriminal.

Nga informacionet që kemi, Durrësi është “kryeqyteti” që mbledh personat me prirje kriminale gjatë muajve të verës, pasi ka shumë kërkesa nga turistët. Policia është në krye të detyrës dhe shumë shpejt do kemi goditje të tjera, pasi kemi siguruar informacione nga agjentët tanë në teren”,- thanë burime nga sektori Antidrogës.

© Panorama.al





Source link

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Related post

Contact Us