• July 28, 2021
 Shkupi dhe Tetova rekord me raste aktive, Kavadari, Ohri dhe Gjevgjelia më të interesuarat për vaksinim


Interesimi i qytetarëve për t’u vaksinuar është i ulët. Këtë e dëshmojnë të dhënat që publikoi Ministria e Shëndetësisë. Deri më tani janë aplikuar gjithsej 747,728 vaksina ndërsa janë rivaksinuar 284,680 qytetarë. E shprehur në përqindje, rreth 27% e popullsisë ka pranuar të paktën një dozë të vaksinës anti-covid. Analizat e fundit tregojnë se përqindja më e lartë e qytetarëve të vaksinuar është në Kavadar me 43.5%, ndërsa përqindja më e ulët e qytetarëve të vaksinuar është në Dibër, Tetovë dhe Kërçovë.

Komunat me më shumë të vaksinuar:
Kavadari – 43.5%
Ohri – 42.9%
Gjevgjelia me 41%.

Më së paku të vaksinuar:
Dibra – 17.3%
Tetova – 17.1%
Kërçova 15.8%

Ministri Venko Filipçe thotë se Maqedonia e Veriut sa i përket vaksinimit nuk ka ndonjë dallim të madh me shtetet e rajonit. Që nga java e kaluar ka nisur vaksinimi pa termine, ndërsa prej dje ka nisur edhe vaksinimi i fëmijëve nga 12 deri në 17 vjeç, ndërsa nga Ministria informojnë se janë vaksinuar 500 adoleshentë. Deri më tani gjithsej 1800 fëmijë janë paraqitur për tu vaksinuar.

“Gjithkund në rajon po i përcjellim trendët dhe ndonjë dallim të madh në përfshirjen e vaksinimit nuk ka. Janë hapur punktet për vaksinim për fëmijët, janë paraqitur rreth 1800 fëmijë, ndërsa rreth 500 janë vaksinuar. Megjithatë kjo nuk është përqindje që mund të na mbrojë nga një valë e re. Qytetarët duhet të jenë të vetëdijshëm se nëse nuk vaksinohen, ka shanse të mëdha të preken nga sëmundje të shkaktuar nga virus, që padyshim do t’i shtrijë në spital dhe të kenë komplikime”, tha Venko Filipçe – Ministër i Shëndetësisë.

Sa i përket rasteve të reja, gjatë 24 orëve të fundit, nga gjithsej 3.219 teste të realizuara, 21 persona kanë rezultuar pozitivë me COVID-19 dhe atë: Shkup – 8, Tetovë – 4, nga 3 raste në Kumanovë dhe Gostivar, dhe nga 1 në Kërçovë, Koçan dhe Kavadar. 14 pacientë e kanë fituar betejën me Covid-19, ndërsa një 56 vjeçar nga Shkupi, i cili po trajtohej në spital, ka ndërruar jetë. Numri i rasteve aktive është 226, në krye të listës me më shumë raste aktive mbeten Shkupi dhe Tetova.



BURIMI I LAJMIT

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Related post

Contact Us