• July 30, 2021
 Flet avokati i Fjolla Morinës pasi iu caktua paraburgimi këngëtares



Sot është marrë vendim që këngëtarja Fjolla Morina të mbetet në paraburgim 40 ditë. Në lidhje me rastin foli avokati i saj Fanol Krasniqi.

Fjolla Morina është arrestuar për herë të dytë pasi ajo u shpall në kërkim ndërkombëtar nga Interpoli, kurse mbi të rëndon akuza për trafikim të armëve dhe municionit në Shqipëri.

Kjo vjen si pasojë e një arrestimi të saj vitin e kaluar në pikën kufitare Kosovë-Shqipëri, ku ajo u zu me dy revole në veturën e saj, shoqëruar nga dy bashkudhëtarë meshkuj.

Morina ishte mbajtur në arrest shtëpiak në Kukës për një muaj, ndërkohë vetëm në prill të këtij viti Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë në Kukës ka depozituar vendimin për shpalljen në kërkim ndërkombëtar.

Ajo u dënua në 25 mars nga Gjykata e Kukësit me 9 vite burgim, që pas zbritjes së 1/3 prej gjykimit të shkurtuar u bënë 6 vjet. Prokuroria kishte kërkuar 7 vjet, por Gjykata u tregua më e ashpër, kjo pasi Gjykata më herët ndryshoi edhe klasifikimin e veprës penale nga armëmbajtje pa leje në trafikim të armëve që e rëndoi pozitën e këngëtares.

Avokati i Fjolla Morinës, Fanol Krasniqi, në një prononcim për media ka treguar disa nga detajet e arrestimit të këngëtares, duke thënë se ligji nga ana e shtetit u shkel ‘me dy këmbë’.

“Në rastin konkret konsideroj pa mëdyshje se ligji nga ana e shtetit nga ana e Ministrisë është shkelë me dy këmbë. Procedura e ekstradimit dhe paraburgimit është kërkuar nga dy baza nga prokurori, baza e parë është trafikimi me armë dhe baza e dytë është arratisja nga vendi i paraburgimit ku ka qenë Fjolla Morina në territorin e Kukësit. Baza e parë trafikimi me armë, nuk mund të caktohet paraburgim as të ekstradohet në qoftë se ai vendim nuk është i formës së prerë”, theksoi ai.

Avokati i këngëtares këmbëngul që vendimi duhet të jetë i formës së prerë.

“Madje ligji për bashkëpunim juridik thotë: Vendimi duhet të jetë i formës së prerë, aktgjykimi duhet të jetë i formës së prerë dhe i ekzekutueshëm, kurse vepra penale nga arratisja nga vendi në paraburgim në masë të sigurisë në Kukës në ligjin tonë kjo vepër nuk është e sanksionuar”, tha avokati.

Ai vazhdoi duke thënë se Ministria e Drejtësisë ka legjitimuar një vepër e cila është inekzistente në Kosovë dhe se është mjaft shqetësuese se çfarë ka bërë Ministria e Drejtësisë në këtë rast, derisa kërkon që të kthehet mbrapsht kjo kërkesë.

“Ministria e Drejtësisë konkludoi dhe ka legjitimuar një vepër e cila është inekzistente në Kosovë. Unë si avokat dhe si përfaqësues i Fjolla Morinës shpreh shqetësimin se çfarë ka bërë Ministria e Drejtësisë. Ministria e drejtësisë po ashtu duhet të kthej mbrapa këtë kërkesë në vetëm dy baza, baza e parë që trafikimi me armë nuk është vepër që ka marrë formën e prerë, dhe baza e dytë, kjo vepër nuk është e sanksionuar në Republikën e Kosovës. Të gjitha këto pretendime unë i potencova në Gjykatën Themelore në Prishtinë, përveçse të Ministrisë së Drejtësisë, të tjerat çka i diskutova unë i kam potencuar tek ju dërgohen proces verbal në aktvendimin e gjykatës”, tha Krasniqi.

Avokati Krasniqi u shpreh bindshëm se ky rast nuk është dashur të potencohet në Prokurori pasi kriteret bazë nuk përmbushen dhe ai deklaroi se këngëtarja nuk është arratisur nga paraburgimi apo institucioni por një shtëpi private të cilën ligji i Kosovës nuk e njeh si dispozitë si ai i Shqipërisë.

“Nuk është dashur fillimisht Ministria e Drejtësisë ta potencoi rastin në prokurori, pasi që nuk përmbushen kriteret bazë. Nuk është aktgjykim i formës së prerë dhe nuk vepër e sanksionuar me ligj arratisja nga vendi i qëndrimit. Nuk është arratis nga paraburgimi apo institucioni, kjo është arratis nga shtëpia private, ligji jonë nuk e njeh këtë dispozitë, kurse ligji i Shqipërisë e njeh. Edhe nëse arratisesh nga arresti shtëpiak, ekziston një vepër e re penale”, përfundoi ai.





BURIMI I LAJMIT

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Related post

Contact Us