• July 28, 2021
 Kryetarët e partive politike shqiptare urojnë Kurban Bajramin



Kryetarët e partive politike shqiptare në Maqedoninë e Veriut kanë uruar besimtarët myslimanë për festën e Kurban Bajramit.

Më poshtë sjellim uratat e krerëve të partive politike shqiptare.

Ali Ahmeti:

“Shumë të dashur besimtarë,
Në këtë ditë feste të Kurban Bajramit, uroj që në gjirin tuaj familjar të keni shëndet, mbarësi dhe begati pafund!
Festat gjithmonë na bashkojnë dhe na afrojnë me njëri-tjetrin në gëzim për njerëzit që i kemi pranë dhe në mall për ata që nuk janë më me ne.
Kjo festë e sakrificës t’ju gjejë mirë ju dhe të gjithë besimtarëve, në devotshmëri ndaj Zotit dhe të përkushtuar ndaj familjes dhe shoqërisë”.

Ziadin Sela:

“Urime Kurban Bajramin!
Sjelltë shëndet, mirëqenie, gëzim, paqe dhe lumturi në familjet tuaja! Kjo festë le të inkurajojë frymën e bashkimit dhe solidaritetit dhe të forcojë vlerat e vërteta të respektit dhe mirëkuptimit të ndërsjellë. Le të mbushet kjo ditë e bekuar me gëzim!”.

Bilall Kasami:

“Falja, zemërgjerësia dhe humanizmi le të zbukurojnë Festën e Kurban Bajramit. Këtë festë le ta shënoj mëshira, toleranca dhe dashuria ndër ne. Uroj që mirëqenja, begatia dhe lumturia të jenë pjesë e pandashme e fatit të familjeve tuaja. Për shumë mote urime Festa e Kurban Bajramit!”.

Menduh Thaçi:

|Me rastin e festës së Kurban Bajramit, shfrytëzoj rastin që në emër të Partisë Demokratike Shqiptare dhe në emrin tim personal t’ju uroj të gjithë besimtarëve këtë festë të veçantë duke ju dëshiruar shumë shëndet, lumturi dhe mbarësi.
Uroj që ky Bajram të përcillet me dashuri e solidaritet. Le të jetë kjo festë një shkak për të shpalosur akoma më thellë ndjenjat e vullnetit të mirë, respektit të ndërsjellë dhe përpjekjes së përbashkët në realizimin e qëllimeve fisnike të familjeve tona”.

Afrim Gashi:

“Festa e Bajramit të Kurbanit gjithnjë na vjen me mesazhin më sublim të historisë se çmimi i ngadhënjimit qëndron në gatishmërinë tonë për ta sakrifikuar atë që e duam më së shumti. Shembulli i Ibrahimit, i cili në emër të mbajtjes së premtimit është në gjendje ta flijojë të birin, është kulmi i gatishmërisë së dikujt në gjithë historinë njerëzore që arrin në këtë shkallë të sakrificës. Dhe, përveç kësaj, ngjarjet si ajo e Ibrahimit e deri te ajo e Adem Jasharit, na mësojnë se fitojnë dhe shpërblehen vetëm ata që janë të vendosur, të bindur dhe të paluhatshëm në përmbushjen e idealit të tyre.
Duke i marrë këto mesazhe dhe duke u gjendur në festën e Bajramit të Kurbanit, po i ndërmendim këto gjëra për të kujtuar se dita e Bajramit duhet të jetë ditë kur ne falim dashuri e buzëqeshje dhe kur flijojmë si Ibrahimi dhe flijohemi si Ismaili, për të mundësuar lumturi edhe në familjet tona dhe në mjedisin tonë shoqëror. Kjo është ditë kur ne i kujtojmë të sëmurit, të vdekurit, skamnorët dhe të pikëlluarit, që sot – në sofrën e Bajramit – bashkë me gëzimin e festës e kanë edhe lotin e mërzisë.
Prandaj, nëse ka një ditë në vit kur ne duhet të shkrihemi për të tjerët, kjo është dita e Bajramit të Kurbanit, që në traditën tonë njihet edhe si Bajrami i Vogël.
Duke u lutur që secili nga ne sot të jetë Ibrahim dhe Ismail, jua uroj nga zemra festën e Bajramit të Vogël, duke ju dëshiruar që kremten ta kaloni në gjirin tuaj familjar, në vizita të ndërsjella e me gëzim e lumturi.
E gëzofshi për shumë vjet Bajramin e Kurbanit. Zoti ju bekoftë”.





BURIMI I LAJMIT

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Related post

Contact Us