• July 28, 2021
 Izraeli rrafshon varrezën e lashtë në Palestinë, për të hapur rrugën drejt kolonive (fotot)


Bulldozerët e ushtrisë izraelite kanë rrafshuar varrezën e lashtë më të madhe të epokës Canaanite në Palestinë, e konsideruar si një perlë arkeologjike, ndërtimi i së cilës datonte rreth 4,200 vjet më parë.

Qendra Palestineze e Informacionit njoftonte në fundjavë se me qëllim ndërtimin e një rruge “by-pass” drejt kolonive izraelite në tokat e pushtuara të Bregut Perëndimor, nën mbikqyrjen e afërt të ushtrisë, mjetet e rënda shkatërruan impjantin arkeologjik pranë qytezës së Khader, në jug të Betlehem.

Hassan Brijieh, drejtor i komisionit palestinez të Murit dhe rezistencës ndaj Kolonive, tha se varreza e lashtë u rrafshua gjatë punimeve për ndërtimin e bypass-it  Nr. 60, që lidh Jerusalem al-Quds me zonën e al-Khalil (Hebron).

Hapësira llogaritej në rreth katër dynym, në zonën e Khader.

Brijieh shtoi se shkatërrimi i varrezës së lashtë është një sulm i qëllimshëm ndaj antikiteteve palestineze në zonë dhe duhet të konsiderohet si një krim lufte ndaj palestinezëve dhe historisë së tyre.

Ai shtoi se Izraeli po përpiqet të vërë nën kontroll tokat bujqësore në Khader duke ndërtuar një “mur aparteidi” me të cilin t’i bashkojë ato me koloninë e re izraelite Kfar Etzion të ndërtuar aty.

Izreali kishte nisur ndërtimin e rrugës disa muaj më parë, me të cilën pritet të akensojë mijëra dynym toka të tjera palestineze në Betlehem e al-Khalil, raporton agjencia e lajmeve Ma’an.

Më herët, Farhan Haq zëdhënësi i sekretarit të përgjithshëm të OKB, Antonio Guterres, i bëri një tjetër thirrje autoriteteve të Izraelit kundër shkatërrimeve të pronës apo konfiskimeve të tokës në territoret palestineze.

“Kolegët tanë të ndihmës humanitare në territoret e pushtuara palestineze na thanë se në komunitetin Ras al-Tin në Ramallah, 84 palestinezë kanë humbur shtëpitë kur forcat izraelite konfiskuan të paktën 49 struktura,” tha ai.

“OKB i ka bërë thirrje vazhdimisht Izraelit të ndalojë shkatërrimet dhe konfiskimet e pronës palestineze dhe të zbatojë detyrimet e tij si fuqi pushtuese, sipas ligjit ndërkombëtar humanitar”.