• July 30, 2021
 Do të shtyhet fasha orare për muzikën? Komiteti Teknik i Ekspertëve del në konferencë për media në orën 15:00


Pas protestës së bizneseve në Lungomare për shtyrjen e fashës orare për lejimin e muzikës, Komiteti Teknik i Ekspertëve pritet të dalë në një konferencë për media rreth orës 15:00 për të sqaruar nëse do të lehtësohen masat.

Në reagimin e tij, kryeministri Edi Rama bëri me dije se nga data 20 korrik, do të shtyhet fasha orare e muzikës me 60 minuta. Ndonëse muzika do të ndalet në 23:00 në çdo zonë turistike të banuar, as ky orar nuk ‘i kënaq’ pronarët e bizneseve në Lungomare, të cilët kanë pezulluar aktivitetin e tyre për 24 orët e ardhshme, pas protestave dhe përplasjeve me Policinë e Shtetit ditën e djeshme.

Ata kërkojnë që orari i muzikës të shtyhet deri në 00:00, ndërsa kërkojnë që aktivitetin ta zhvillojnë deri në orën 02:00. Kryeministri Rama theksoi se kush dëshiron të kërcejë e këndojë të gjithë natën, le të bëjë organizim në natyrë ku nuk shqetëson asnjë njeri.

“Protestë në Lungomare për muzikën?

1.Lungomare s’ka muzikë po ndotje akustike të tmerrshme ku përzihen dhjetra linja burime menjëherë.

2.E drejta e atyre që duan zhurmë muzikore tërë natën nuk fiton dot mbi tē drejtën e atyre që natën duan zhurmën e detit.3.Siç është lajmëruar, nga data 20 korrik muzika do të ndalet në 23.00 në çdo zonë turistike të banuar dhe kush do të kërcejë e të këndojë tërë natën po të dojë, le të organizohet në natyrë, në pika ku nuk shqetëson njeri – si në tërë botën e civilizuar turistike”, shkruan Rama.

Kujtojmë se bizneset kanë paralajmëruar se në mbrëmje do të ndezin qirinj përgjatë lokaleve dhe do të vendosin tabela me shkrime kundër fashës së orarit 22:00. Duke qenë se ka nisur sezoni turistik, ata kërkojnë që të ushtrojnë aktivitetin e biznesit edhe pas mesnatës për të gjithë pushuesit.

“E keni parë dhe mbrëmë, filloi një farë simboli proteste. Ne vendosëm himnin kombëtar në orën 21:45 deri në orën 22:00 dhe ndodhi ndodhia e pakëndshme me policinë e shtetit. Që mbrëmë deri sot kemi fjetur shumë pak dhe kemi vendosur të gjithë së bashku që lokalet në shenjë simbolike, proteste t’i mbajmë mbyllur të gjitha dhe të shpërndajmë mesazhet tona.

Tani jemi duke u mbledhur, më vonë do ta japim mesazhin të plotë që Vlora nuk është një qytet me orare mortore, është një qytet turistik që ka bërë maksimumin për turizmin, është një qytet ku biznesmenët sakrifikojnë në çdo aspekt dhe mundohet që stafet e tyre t’i kualifikojë sa më lart dhe t’i ushqejmë që të gjithë. Ne kemi “24 orë blackout” dhe në mbrëmje, kur të perëndojë dielli do të nxjerrim nga një mesazh personal me pankartë. Janë përgjigjur 100% të gjithë bizneset dhe ka ngelur një pakicë me administratorë Tirane që është shumë pak, mos të përdorim emra, janë diku 90 biznese në total përgjatë Lungomares”, tha një pronar lokali para medieve.

Mbrëmjen e kaluar, u zhvillua një aksion policor pasi bizneset në zonën e Lungomares vendosën himnin kombëtar në sinkron me njëri-tjetrin pasi kishte kaluar ora 22:00.

Protesta u pasua me aksionin e policisë që solli katër të shoqëruar, mes tyre edhe një grua.

Një prej punonjësve të policisë shoqëroi me forcë administratoren e një lokali në Lungomare duke e futur me forcë në furgon. Menjëherë pas këtij aksioni, pronarët dhe administratorët e lokaleve iu drejtuan drejtorisë së policisë duke protestuar për lirimin e të shoqëruarve. Policia vendosi të lirojë të shoqëruarit rreth orës 4 të mëngjesit, ndërsa ende nuk ka ndryshim vendimi për kërkesat e tyre.

Policia bërë me dije se administratori i një subjekti në Vlorë është gjobitur me 1.000.000 lekë dhe është proceduar penalisht se bashku me dy të tjerë sepse kundërshtuan mbylljen e muzikës në orën 22:00.


Top Channel





Source link

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Related post

Contact Us