• July 24, 2021
 Milan pa frena/ Giroud kryen vizitat mjekësore, priten Diaz e Ballo-Toure – SuperSport


Ditë “të nxehta” merkatoje në shtëpinë e Milanit, pasi Olivier Giroud ka mbërritur në qytet dhe paraditen e sotme është paraqitur në klinikën La Madoninna për të kryer vizitat mjekësore rutinore.

Menjëherë pas kalimit me sukses të tyre, sulmuesi 34-vjeçar francez do të zhvendoset në zyrat e klubit kuqezi, ku do të hedhë firmën mbi kontratën dy vjeçare dhe do të bëjë edhe prezantimin zyrtar si futbollisti më i ri i Milanit.

Për kartonin e francezit, kuqezinjtë do të paguajnë pak më tepër se një milionë euro në arkat e Chelsea-t, ndërsa vetë Guiroud do të përfitojë një pagë prej 3.5 milionë eurosh në sezon, që mund të shkojë deri në 4 bashkë me bonuset e parashikuara.

Të njëjtin ritual si francezi, nesër pritet ta bëjnë dy futbollistë të tjerë si Brahim Diaz e Ballo-Toure, pasi klubi kuqezi ka arritur akordet me klubet që kanë pronësinë e tyre, Realin e Madridit dhe Monacon.

Spanjolli Diaz ishte edhe sezonin e kaluar pjesë e kuqezinjve, por i përfundoi huazimi, teksa Maldini ka arritur marrëveshjen me klubin e Realit për një huazim tjetër dy vjeçar kundrejt 3.5 milionë eurove dhe të drejtën e blerjes për 22 milionë euro, ndërsa madrilenët kanë ruajtur edhe të drejtën e riblerjes për 27 milionë euro.

Sa i përket Fode Ballo-Toure, është arritur marrëveshja me Monacon, për një transferim që në total pritet të prekë vlerën e 4.5 milionë eurove. Futbollisti 24-vjeçar franko-senegalez pritet të jetë zëvendësuesi i parë i Theo Hernandez.

Objektivat e radhës për Maldinin, janë të sjellë në Milano një fantazist që të marrë vendin e lënë bosh nga Hakan Calhanoglu dhe një sulmues të ri të talentuar, që të rritet nën hijen e Ibrës dhe Guiroud.

Për fantazistin preferohet shumë kroati Vlasic, që u paraqit mjaft mirë edhe në Euro 2020, megjithatë problem mbeten pretendimet e rusëve të CSKA-së së Moskës, të cilët nuk kanë ndërmend ta lënë të lirë futbollistin pa arkëtuar më parë 30 milionë euro.

Sa i përket sulmit, Maldini ka një marrëveshje paraprake me Santosin për 19-vjeçarin Kaio Jorge, kartoni i të cilit vlerësohet rreth 10 milionë euro, por futbollisti është ekstra-komunitar dhe te Milani nuk mund ta zënë këtë vend pa gjetur më parë fantazistin.









Source link

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Related post

Contact Us