• July 30, 2021
 Hyseni i PSD-së: Ka policë që njihen për nga zelli kundrejt nesh, sot u dalluan dy


Zyrtari i Partisë Socialdemokrate, Zgjim Hyseni, ka thënë se Policia e Kosovës ka ndërhyrë sot në mënyrë të panevojshme, në aksionin e kësaj partie pranë objektit të Ministrisë së Infrastrukturës, shkruan Gazeta Express.





Hyseni në emisionin “Frontal” në T7, ka thënë se qëllimi i aksionit ka qenë protestimi për vendosjen e taksës prej 5 eurove për tiketën ngjitëse në automjet dhe dhënien e tenderit për vetëm një kompani.

“Ne e kemi nisur ditën me qellim që të organizojmë një aksion protestues lidhur me taksën e vendosur prej 5 euro për secilën tiketë të shqiptuar. Krejt e çuditshme, sepse momenti kur ka intervenuar policia çdo gjë ka qenë e përfunduar. Ne vetëm kemi vendosur tiketat në makinat e Ministrisë së infrastrukturës, me emrin ‘zhvatës’”, tha ai.

Hyseni foli edhe për momentin kur polica filloi arrestimin e zyrtarëve të PSD-së. Ai tha se pas përfundimit të aksionit, ata u kanë thënë se duhet të shkojnë në stacion, por që një ftesë të tillë ata e kanë refuzuar.

“Çdo gjë e ke e përfunduar dhe nuk patë asnjë ndërhyrje. Thjeshtë na kanë kap dhe na kanë thënë duheni me ardhë në stacion. Na protestat nuk i lajmërojmë dhe nuk do t’i lajmërojmë edhe në të ardhmen. Protesta është e drejtë e secilit. Çka nëse pushteti na thotë që nuk mundeni me protestu? Kjo është një e drejtë e jona. Është nonsens që në një vend demokratik, policia të tregojë se a duhet me protestu apo jo”, ka thënë zyrtari i PSD-së.

Ndër të tjera, ai tha se ka zyrtarë policorë që po përdorin më shumë forcë dhe gjuhë të papërshtatshme ndaj zyrtarëve të kësaj partie. E këtë gjë ai e lidhi me favorizime politike. Për partinë në pushtet, Lëvizjen Vetëvendosje.

“Ka policë që njihen për nga zelli kundrejt nesh. Nuk mund të them që janë të tyre. (pushtetit), por ndoshta nga vullneti i tyre politik. Krejt policët kanë urdhër, por ka që dallohen për nga zelli, nga gjuha, nga forca e përdorur. Sot u dalluan dy policë. Ndërhyrja ka qenë tërësisht e panevojshme, sepse çdo gjë ka qenë e përfunduar”, deklaroi ai, në “Frontal”.

Më tutje, ai tha se në këtë aksion nuk ka pasur asnjë dëmtim të pronës e as prishje të rendit dhe qetësisë.

“Oborri i qeverisë e as objekti i qeverisë nuk është i paprekshëm. Kjo është mënyra si kanë reaguar. Unë me dëshirë nuk shkojë kurrë në stacion të policisë. Jam një qytetar që kam dal me protestu aty. Është një e drejtë që duhet me mu plotësu. Asnjë dëmtim nuk ka ndodhë. Pse i ka penguar dikujt, ne nuk kemi pse ta ndalojmë aktivitetin”, tha më tutje Hyseni.

Hyseni foli edhe për arrestimin e zyrtares së PSD-së, Teutë Rrusta. Ai tha se gjuha e policisë e përdorur ndaj saj, ka qenë diskriminuese. Madje për këtë gjë, Hyseni konfirmoi se ajo është ankuar në IPK.

“Teuta ka qenë pak e lënduar dhe nëse nuk gabojë ka dhënë deklaratë në IPK për tejkalimet e përdorimit të forcës. Vërehet edhe mënyra se si sjellën me gratë. ‘ik atje se nuk po merrna me ty, jam tu merr me dikë tjetër’, kjo i ka ndodhur Teutës jo vetëm sot por edhe herëve të tjera”, tha Hyseni.

E për këtë aksion, Hyseni ka pranuar thirrje edhe nga gjykata.

“Na panë duke shkruar me sprej në veturë dhe duke vendosur ngjitës. Unë kam thirrje për gjykatë. Nuk është se më është shqiptuar ndonjë gjobë, por kam thirrje për gjykatë”, deklaroi ai.








BURIMI I LAJMIT

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Related post

Contact Us