• July 28, 2021
 E njoh kampionatin shqiptar, ja objektivat e Kukësit – SuperSport


Diego Longo u emërua trajneri i Kukësit pasditen e djeshme, ndërsa sot në mesditë doli para mediave për të bërë edhe prezantimin zyrtar, ku zbuloi negociatat me verilindorët dhe foli për marrëdhëniet me trajnerin Edi Reja, por ngurroi të shpalosë objektiva.

Si erdhi vendimi për të pranuar pankinën e Kukësit?
Para së gjithash ju falënderoj të gjithëve dhe në veçanti klubin që më dha besimin e mundësinë të ulem në pankinë. Ka shumë besim rreth meje dhe shumë ambicie. Më kanë treguar se me të vërtetë duan të arrijnë gjëra të mëdha, ndaj pranova të vij këtu. Që në momentin e parë që takova Aldon (Gjici), Pejic dhe menaxherin, folëm hapur. Erdha këtu prej besimit të dhënë dhe tani e rëndësishme është të jemi të gjithë bashkë, të punojmë dhe të arrijmë objektivat.

Sa e njihni kampionatin shqiptar?
E njoh kampionatin, e njihja që më parë dhe jo tani kur nisëm të flasim. Më pëlqen Superiorja dhe mund të rritemi si ekipi. Nuk flas dot për ekipet e tjera për momentin, por sezonin e shkuar të tjerët ishin më mirë se ne. Ne duhet të shohim Kukësin dhe të përmirësohemi, sidomos në mentalitet.

Si i keni raportet me Edi Rejën, trajnerin e Kombëtares Shqiptare?
Trajnerin Edi Reja e kam njohur më parë, e kam takuar shumë vite më parë, kur ishte trajner i Lazios, pasi kam qëndruar një javë në qendrën stërvitore të tyre. Do e kontaktoj së shpejti dhe do takohemi, pasi kam pasur biseda me të dhe është nga ata që të vjen në ndihmë.

A keni njohuri për lojtarët që ka afruar klubi?
Kam shumë besim te futbollistë dhe te klubi, që i ka afruar. Nuk i kam stërvitur ende, por di që ka lojtarë të rinj dhe me eksperiencë, dhe këtu mund të përmend brazilianin që ka ardhur. Nuk do të futemi në fushë sikur i kemi fituar ndeshjet, do punojmë që të futemi për të fituar.

Në të shkuarën keni eksperienca vetëm si ndihmës-trajner…
Si asistentë kanë punuar edhe Flick, Tuchel dhe Mourinho, ndaj shpresoj të jem në rrugën e tyre. Është privilegj të punosh në klube të mëdha. Kisha kontratë me Dinamo Kiev dhe vendosa të largohem për të nisur eksperiencën si trajner. Kemi objektiva të rëndësishme.

Cilat janë objektivat e klubit këtë sezon?
Qëllimet e klubit janë të qarta: të jemi kompetitivë. Nuk mund të them tani që do të fitojmë kampionatin, pasi këtë nuk e bën as Teuta, as Vllaznia e as Partizani. Ne do të bëjmë më të mirën tonë. Sa i takon merkatos, do të flas me klubin. Nuk flas për emra, por do flas me klubin për çfarë lojtarësh duhet të vijnë këtu.









Source link

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Related post

Contact Us