• July 23, 2021
 Antikorrupsioni konteston ligjin për korridoret


Ligji special i cili u miratua në Kuvend, me të cilin mundësohet që blerjet për ndërtimet e korridoreve 8 dhe 10 të bëhen pa tender, ngjalli reagime. Me këtë, pushteti do të lidhë marrëveshje me kompaninë Behtel & Enka, pa shpallur tenderë. Komisioni antikorrupsion mendon se ligji është në kundërshtim me Kushtetutën, andaj  paralajmërojnë se do t’i shfrytëzojë të gjitha mundësitë që ta kontestojë të njëjtin. Kërkuan nga presidenti Stevo Pendarovski që të mos e nënshkruajë dekretin për ligjin, ndërsa nëse e nënshkruan, thonë se do ta kontestojnë në Gjykatën kushtetuese.

 “Ne do t’i shfrytëzojmë të gjitha veglat që na i mundëson sistemi dhe do t’i përdorim në këtë rast. Lëvizim hap pas hapi. Të shkojmë në Gjykatën Kushtetuese, tashmë duhet të kemi ligj që është në funksion dhe të cilin e ka nënshkruar presidenti. Shkojmë hap pas hapi, planifikuam t’ia japim mendimin tonë Kuvendit megjithatë ligji tashmë u miratua në Kuvend që do të thotë se hapi ynë i ardhshëm është Presidenti i shtetit”, tha Biljana Ivanovska – Kryetare e KSHPK-së.

Edhe krahas kërkesës së këtillë të Komisionit antikorrupsion nga kabineti i shefit të shtetit, ndërkohë arriti informacion se Pendarovski e ka nënshkruar ligjin.

“Ligji është sjellë me shumicën e nevojshme dhe asnjë deputet ose grup i deputetësh nuk kanë votuar kundër. Të gjitha institucione dhe individët që kanë dyshime në lidhje me kushtetutshmërinë e Ligjit, mund t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese e cila është i vetmi institucion kompetent për vlerësimin e kushtetutshmërisë së ligjeve dhe akteve të tjera të përgjithshme”, thonë nga Kabineti i Presidentit Pendarovski. 

E kryetarja e Komisionit Anitkorrupsion vlerëson se sjellja e këtillë e ligjit, siç tha, është manipulim duke shtuar se nuk ka interes publik që ligji të votohet me procedurë të shpejtë. Më e çuditshme sipas saj është që ligji u miratua unanimisht pa asgjë votë kundër. A mund të ketë përgjegjësi për shkak se marrëveshja do të jetë e nënshkruar sy me sy me kompaninë Behtel dhe Enka, me arsyetim se ashtu ka kërkuar Kuvendi.

 “E dini se nuk ka përgjegjësi kolektive, mendoj se ju vetë e dhatë përgjigjen. Nuk ka interes publik atje ku ka akrobacione politike, mençuri, nuk e di se si t’i quaj këto manipulimet. Do të thotë se këtu nuk ka interes publik”, shtoi kryetarja e KSHPK-së, Biljana Ivanovska.

Por a po përsëritet edhe një herë rasti “Sinohidro” nga koha e qeverisjes së Gruevskit, kur marrëveshjet lidheshin sy me sy?

 “Kaluan 7 vjet nga marrëveshja e cila ishte lidhur sy me sy me “Sinohidro” dhe ishte sjellë një ligj sipas parimit të njëjtë dhe të gjithë ne e dimë se sa ishte dëmi, dhe kjo punë mbeti e paqartë, tani përsëri vazhdohet njësoj, sy me sy”, potencoi Nuri Bajrami – anëtar i KSHPK-së.

Ky ligj ka të bëjë me përcaktimin e interesit publik dhe nominimin e partnerëve strategjikë për ndërtimin e akseve Tetovë – Gostivar – Bukojçan dhe me projektin për autostradat Trebenishtë – Strugë – Qafë Thanë si dhe me aksin e autostradës Prilep-Manastir nga korridori 10.



BURIMI I LAJMIT

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Related post

Contact Us