• July 30, 2021
 Biden nënshkruan urdhër ekzekutiv për të nxitur konkurrencën në ekonominë amerikane


Presidenti Joe Biden nënshkroi një urdhër ekzekutiv për të nxitur konkurrencën në ekonominë amerikane në të mirë të konsumatorëve.

Në fjalimin përpara nënshkrimit të urdhrit të premten në Shtëpinë e Bardhë, presidenti Biden tha se masa “angazhon qeverinë federale të zbatojë plotësisht dhe me agresivitet ligjet tona kundër monopoleve”.

Një grup i rëndësishëm amerikan i biznesit e kritikoi nismën si ndërhyrje të ashpër të qeverisë në sektorin privat. Urdhri kërkon që 12 agjenci federale të menaxhojnë 72 nisma që synojnë pakësimin e praktikave jo konkurruese në një mori sektorësh ekonomikë.

Presidenti Biden tha, “Unë jam një kapitalist krenar. … Më lejoni të jem mjaft i qartë: Kapitalizmi pa konkurrencë nuk është kapitalizëm. Është shfrytëzim”. “Pa konkurrencë të shëndetshme, lojtarët e mëdhenj mund të ndryshojnë dhe të vendosin çfarë çmimi të duan. Dhe t’u trajtojnë si të duan. Për shumë amerikanë, kjo do të thotë të pranosh një marrëveshje të keqe”.

Në fokus

Urdhri vë në shënjestër monopolet e korporatave dhe udhëzon agjensitë e antitrustit të përqendrojnë aktivitetet e tyre sipas ligjit në bujqësi, punësim, kujdes shëndetësor dhe industrinë e teknologjisë.

Një dokumentacion e përpiluar nga Shtëpia e Bardhë thuhet se urdhri “do të ulë çmimet për familjet, do të rrisë pagat për punëtorët dhe do të nxisë risitë dhe një rritje më të shpejtë ekonomike” ndërsa do të ndihmojë për të balancuar konsolidimin e bërë mes korporatave për dekada me radhë.

“Në mbi 75% të industrive amerikane, një numër më i vogël ndërmarrjesh të mëdha tani kontrollojnë më shumë biznes sesa 20 vjet më parë. Kjo është e vërtetë në të gjithë sektorin e kujdesit shëndetësor, shërbimet financiare, bujqësinë e më gjerë”, thotë dokumenti. “Kjo mungesë e konkurrencës rrit çmimet për konsumatorët”.

Ndër veprimet e tjera, urdhri udhëzon Departamentin e Drejtësisë dhe Komisionin Federal të Tregtisë të vëzhgojnë me kujdes bashkimet e kompanive që kufizojnë mundësitë për bizneset e vogla.

Drejtuesja e përkohshme e Komisionit Federal të Komunikacionit Jessica Rosenworcel e mirëpriti urdhrin, duke thënë në një deklaratë, “Ekonomia jonë lulëzon nga konkurrenca. Është kjo arsyeja që Shtetet e Bashkuara janë strehë e disa prej kompanive më dinamike në botë”.

Dhoma e Tregëtisë ofron Kritika

Dhoma amerikane e Tregtisë, një grup i shquar në mbështetje të biznesit, kritikoi urdhrin, duke thënë se ai “ka në qendër të tij pikëpamjen se “qeveria di më mirë “se si menaxhohet ekonomia”.

Grupi tha se “do të kundërshtonte me forcë thirrjet për çmime të vendosura nga qeveria, vendimmarrjet ligjërisht të dyshimta, përpjekjet për të trajtuar industritë inovative si shërbime publike dhe politizimin e zbatimit të ligjeve kundër monopolit”.

Një sindikatë që përfaqëson punëtorët në industrinë e ushqimit dhe shëndetit, e përshëndeti urdhrin, duke thënë se “dërgon një mesazh të qartë se kjo Shtëpi e Bardhë është e përkushtuar për të krijuar një fushë të barabartë pune për punëtorët amerikanë”./VOA/


Top Channel





Source link

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Related post

Contact Us