• July 30, 2021
 Shtëpia e tmerrit, fëmijë të zhveshur e të paushqyer, autoritetet braziliane shpëtojnë të miturit


Autoritetet braziliane janë shokuar nga një skenë rrëqethëse, 7 fëmijë, të uritur e të zhveshur janë gjetur brenda një banese në Makapi.

Për ta kujdesej një vajzë 13-vjeçare, njoftojnë autoritetet. Fëmijët e moshës nga 3, deri në 7 vjeç, janë gjetur brenda një shtëpie të vjetër, e të izoluar me shufra hekuri.

Sipas autoriteteve, një prej fëmijëve ishte me nevoja të veçanta, e ky i fundit është dërguar menjëherë për në spital, pasi nga mosushqyerja gjendja e tij ishte e rëndë.

Është ende e paqartë se si fëmijët ndodheshin aty, por mësohet se 13-vjeçarja që kujdesej për to, ishte detyruar nga persona të tjerë, që të gënjente nëse ndonjë e pyeste për moshën, pra t’i thoshte se ishte 17 vjeçe e jo 13-të, sa është në të vërtetë.

Ndërkohë, policia ka nisur një hetim të plotë për të zbardhur këtë ngjarje të rëndë.