• July 30, 2021
 Punëtori vret doktoreshën e të bijën 14-vjeçe, shkruan në mure ‘nëna ime është e ligë’ për t’i hedhur fajin vajzës (fotot)


Një murator që akuzohet se ka vrarë një doktoreshë dhe vajzën e saj në shtëpinë e tyre në Britani, ishte përpjekur të kalonte fajin te e bija duke lënë mbishkrime në mure, u tha sot në gjyqin e tij.

51-vjeçari Shahbaz Khan, u arrestua në fund të vitit të shkuar për vrasjen e 49 vjeçares Dr Saman Mir Sacharvi, dhe vajzës së saj 14-vjeçare Vian Mangrio në Lancashire.

Punëtori i mirëmbajtjes  kishte shkruar “Shtëpi Covid-i, nëna ime është djallëzore” në muret e shtëpisë, duke tentuar të bënte të besohej se Mangrio ishte fajtore për vdekjen e nënës së saj, thanë prokurorët.

Khan, i cili kishte kryer edhe më parë riparime në shtëpinë e Dr Sacharvi, kishte ardhur në adresën pranë Burnley, pak para mesditës së 30 shtatorit për të vijuar disa punime.

Por më 1 tetor, Dr Sacharvi, e cila punonte me sistemin shëndetësor britanik, dhe e bija e saj u gjetën të vdekura brenda shtëpisë së tyre, e cila ishte dëmtuar nga tymi.

Ekzaminimet post-mortem tregonin se doktoresha kishte vdekur nga presioni rreth qafës, ndërsa nxënësja e shkollës së mesme kishte vdekur nga asfiksia.

Prokurori David McLachlan tha se një javë më parë doktoresha kishte marrë vajzën e saj nga shkolla pasi kishte shfaqur simptoma të Covid-19, që më vonë rezultuan negative.

McLachlan tha: “Ne besojmë se mbishkrimet në mure ishin një tentativë cinike e Shahbaz Khan për të portretizuar marrëdhënien mes Dr Saman dhe të bijës Vian Mangrio si të keqe, për të larguar fajin nga vetja.

Siç supozohet, Khan ka vrarë doktoreshën para se zonjusha Mangrio të kthehej nga shkolla rreth orës 3.25 pasdite, dhe më pas ka sulmuar atë.

Celularët e të dyja viktimave ishin të fikur në pasditen e vonë.

Khan u arrestua më 4 tetor dhe gjatë kontrollit në shtëpinë e tij policia gjeti një çantë me bizhuteri në vlerë dhjetra mijëra paundë, të cilat i përkisnin zonjës Sacharvi.

Khan, nga Burnley, mohon dy akuza vrasjeje dhe një zjarrvënieje. Gruaja e tij Rabia Shahbaz, 45 vjeçe gjithashtu mohon tentativë për dëshmi të rreme, duke dhënë alibi të rreme për bashkëshortin.

Gjyqi që u hap sot pritet të zgjasë katër javë.