Tentoi të vetvritej, Tefta Kolaci: Vdekja m’u duk më e ëmbël se hetuesia


Ishte 14 vjeçe kur babai i saj, koloneli Dilaver Radeshi u dënua me 10 vjet burg. Pas atyre dhjetë viteve të vështira, nisi një tjetër periudhë hakmarrjeje ndaj familjes së ushtarakut të paepur, ku sprovën më të fortë e kaloi vajza e madhe, Tefta, e cila për ditë me radhë iu nënshtrua hetuesisë sfilitëse të kryesuar nga Nevzat Haznedari. Aq të papërballueshme ishin ato seanca pyetjesh, sa e reja tentoi të vriste veten. Sot ajo është 69 vjeçe, jeton në qytetin e Korçës së bashku me bashkëshortin, Vaskë Kolaci. Me dëshirën dhe pasionin që e karakterizon, në vitin 2005 mbaroi me rezultate të shkëlqyera studimet në Fakultetin Ekonomik dhe është një zë i rëndësishëm i komunitetit të saj në mbrojtjen e të drejtave të të përndjekurve politikë dhe shtresave të ndryshme të shoqërisë. Në këtë intervistë për kujto.al, tregon me detaje vuajtjet e familjes së saj që nisën që në vitet 1966-67 kur dënuan të atin dhe vazhduan përgjatë gjithë diktaturës komuniste

Nga Najada Pendavinji

Znj. Tefta, çfarë përfaqësonte figura e babait tuaj Dilaver Radeshi?

Jam Tefta Sulçe Kolaci, e bija e historianit dhe ish-ushtarakut kolonel Dilaver Radeshit. Babai im Dilaver Radeshi, ka lindur më 10 janar 1922 në fshatin Radesh të Skraparit. Personazhi i tij ka qenë i njohur në Lëvizjen Nacionalçlirimtare, ku karakterizohej nga fryma patriotike dhe atdhetare. Në vazhdën e aktiviteteve të tij vjen edhe inkuadrimi në radhët e Brigadës së Parë Sulmuese ku përgjatë luftimeve plagoset tri herë. Edhe pas çlirimit të vendit do vazhdonte ëndrrat dhe dëshirat që ai kishte. Kështu që në vitin 1945, ai shkon pranë shkollës së Aviacionit në Beograd për të realizuar një prej pasioneve që ishte pilotimi, por që nuk mundi, për shkak të plagëve të marra gjatë luftës ku është cilësuar invalid lufte. Në vitin 1946, ai dërgohet me studime në Odesë, në shkollën ushtarake në Moskë. Kthehet që andej si një student i shkëlqyer dhe emërohet komandant i rojeve të nderit. Prezenca e tij si ushtarak, pamja e tij trimërore tërhiqte vëmendjen në ceremoninë e pritjeve dhe përcjelljeve të delegacioneve. Zëri i tij ishte i fortë, kishte pastërtinë dhe oshëtimën e maleve të vendlindjes. Zë i cili akoma kumbon në veshët e mi me një çiltërsi dhe dashuri që ai më mësonte për jetën dhe vlerat njerëzore. Në vitin 1956-1958, vazhdon studimet në Akademinë e Lartë “Frunze”, për Artin Ushtarak në Moskë ku vlerësohet me medaljen e artë. Tanimë ai ishte një njeri i arsimuar, i studiuar jashtë që përkthente dhe botonte kryesisht libra për Historinë e luftërave të Skënderbeut si “Beteja e Torviollit”, “Beteja e Drinit dhe Oranikut”, për të cilat gërmoi dhe kërkoi deri në arkivat e Stambollit e të Romës. Gjithashtu në Revistën Ushtarake, ka botuar studime për artin ushtarak shqiptar për të cilin kishte studiuar dhe punuar fort dhe të tjera ngjarje e studime nga Lufta Nacionalçlirimtare. Ka shkruar librin e tij “Inkursioni i Brigadës së Parë Sulmuese” i botuar në vitin 1963. Të gjitha këto botime, studime, materiale të cilat nuk u arritën dot të përmblidheshin si botime më vete i kemi dërguar ne fëmijët e tij, mbas vdekjes dhe dekorimit të tij nga Presidenti i asaj kohe Alfred Moisiu, për t’u publikuar tek Akademia e Mbrojtjes-Departamenti i Historisë Ushtarake. Më vjen keq pasi akoma dhe sot nuk janë publikuar ato botime.

 

Si erdhi arrestimi dhe dënimi i tij nga regjimi komunist? 

Babai ishte një njeri i edukuar me frymën e drejtësisë. Në kohën kur qeveria komuniste filloi të ndiqte një kurs ndryshe në ushtri të drejtuar kah politikës kineze, babai im Dilaver Radeshi në vitin 1963 u kthye në formën e një opozite kundrejt këtij kursi. Studimet e tij, njohuritë që ai kishte në fushën ushtarake nuk e lejonin të pranonte “kinezërimin” e ushtrisë. Çfarë ndodhi? Babai ishte një nga ushtarakët që kundërshtoi hapur reformën ushtarake dhe degradimin e saj, kundërshtoi heqjen e gradave dhe guxoi të propozonte ndryshimin në vijën e Partisë së Punës në lidhje me mbrojtjen ushtarake. Ai, mendimet e tij i shpalosi hapur në një letër drejtuar Enver Hoxhës dhe dy figurave të tjera që ishin Beqir Balluku e Mehmet Shehu, në të cilën argumentonte idetë dhe ndryshimet. Kjo letër e hapur u shpalos në gjyqin politik që iu bë më 27 shkurt 1967, prej të cilit babai, koloneli Dilaver Radeshi u arrestua fillimisht “për tradhti kundër atdheut’” dhe u dënua për agjitacion-propagandë me 10 vjet burg. Nuk u mposht asnjëherë, as në hetuesi ku qëndroi për 6 muaj dhe dihet që në birucat e hetuesisë njeriu tjetërsohej nga torturat çnjerëzore që përdornin hetuesit e Sigurimit të Shtetit.

 

Çfarë ndodhi me ju gjatë kohës që babai juaj vuante dënimin nëpër burgjet komuniste?

Si çdo familje që kishte një pjesëtar të saj të dënuar nga regjimi komunist edhe ne, familja e kolonel Dilaver Radeshit do viheshim në shënjestër nga Sigurimi i Shtetit. Përditë mbi ne vallëzonte hija e dyshimit dhe frikës se çfarë do ndodhte me jetën e babait? Çfarë do ndodhte me ne, familjen e tij? Çfarë fati na priste? Unë asaj kohe isha vetëm 14 vjeç, ndërsa motrat dhe vëllai ishin më të vegjël. Nëna, Lumturi Sulçe na rriti me zemrën e trishtuar, por na ushqeu me dashurinë për jetën dhe njerëzit. Po ecnim në një rrugë të gjatë dhe tepër të vështirë. Përndjekja ndaj nesh nuk do fillonte që me burgosjen e babait, por ajo do vinte dalëngadalë dhe do përshkonte çdo cikël të jetës sonë. Kështu që ne gjatë asaj kohe nuk na hoqën nga vendi ku banonim që ishte Tirana. Vazhduam rrjedhën e jetës duke punuar fort me shpresën dhe besimin se babai do na bashkohej sa më shpejt. Nëna e udhëhoqi jetën tonë duke na lehtësuar dhimbjen dhe mungesën e babait. Ajo punonte në një permanent. Pavarësisht statusit që ne kishim, nëna shihej nga të gjithë si një trimëreshë. Një grua që mbante në këmbë familjen e saj, duke qëndruar e fortë përballë çdokujt pavarësisht goditjes që pësuam nga fati i çuditshëm që përfshiu jetën tonë. Ne fëmijët vazhdonim shkollën. Unë mbas mbarimit të mësimit në gjimnazin “Partizani” shkoja te puna e nënës dhe merrja picetat e permanentit, i çoja në shtëpi ku i laja, i thaja dhe i hekurosja. Nga kjo punë unë fitoja diçka që e lehtësoja sadopak nënën nga shpenzimet. Ishim rritur me frymën për edukimin dhe punën.

 

E keni takuar babanë tuaj në burg? Cilat ishin peripecitë dhe ndjesitë që keni përjetuar në ato takime pas dyerve të hekurta?

Momenti i arrestimit të tij, dalja përballë gjyqit politik, qëndrimi në hetuesi për 6 muaj, dënimi me burgim, për të gjitha këto ne si familja e tij nuk kishim asnjë dijeni deri në momentin që nga babai na vjen një telegram me sqarimin e vetëm se ai vuante dënimin në burgun 313 të Tiranës ku ka qëndruar për një kohë shumë të shkurtër. Jemi nisur të gjithë si familje, mamaja, unë, dy motrat Violeta dhe Irma bashkë me vëllain Kastrioti drejt burgut ku morëm me vete batanije, dyshek dhe ushqime, gjërat që mendonim se i nevojiteshin. Kur shkuam atje, babai ishte mbrapa dy palë hekurave të cilat bënin që distanca jonë me të, të ishte tepër e madhe. Duart e tij dhe tonat zgjateshin nëpër ato hekura të ftohta për të ndier ngrohtësinë që të falin vetëm duart e forta të babait. Sytë tanë ishin shumë të mallëngjyer. Kishim kohë pa e parë, na mjaftoi që ishte gjallë. Ky ishte takimi i parë me të, me babanë. Tanimë filluam të kuptonim e të ndienim atë thikën e mprehtë të diktaturës në gjoks e cila ndonjëherë të linte pa frymë. Mbas dy muajsh e transferojnë në Fabrikën e Çimentos në Elbasan. Edhe këtu tentuam që të kishim një takim me të, por tani do shkoja vetëm unë dhe mamaja. U përgatitëm për gjërat që do i çonim, filluam të thurnim rroba të leshta që atë ta mbanin ngrohtë, të gatuanim ushqimet që ai i kishte qejf dhe u nisëm për ta takuar. Atë ditë binte një shi i rrëmbyer që vazhdonte pa pushim dhe treni që ne të dyja hipëm na la në gjysmë të rrugës. Ecnim nëpër baltën e rrëshqitshme ku çantat me ushqime dhe veshje i ngrinim lart në supe për të qëndruar të pastra. Kur arritëm afër kampit, këmbët tona ishin ngrirë dhe balta me zor hiqej. Tamam si kjo “baltë” që kishte mbuluar Shqipërinë. Aq shumë kisha ngrirë sa kur u takuam me babanë nuk munda të flisja asnjë fjalë. Vetëm u pamë. Më vonë në 8 janar të vitit 1968 atë e kishin çuar në kamp-burgun e Spaçit. Të gjithë ata që kanë vuajtur dënimin në këtë kamp, por edhe ata familjarë të cilët kanë shkuar të vizitojnë të afërmin e tyre e dinë shumë mirë dhimbjen që shkaktonte ky kamp famëkeq. Spaçi të jepte një ndjesi të frikshme, më kujtohet që ishte si një gropë e zezë, një rrugë tepër e vështirë dhe e largët, ku ne shkonim gjithmonë së bashku me familjet e tjera të cilat kishin një familjar të dënuar në atë kamp, ku mund të përmend: familjen, kryesisht nënën Emilia të Vangjel Leshos, të cilin më vonë e pushkatuan, me teton Lolo të Xhelal Koprënckës etj… Në vitet 1971-73, babai do provonte një tjetër kamp, atë të Tepelenës. Për atë dhe për ne ishte i vështirë ky kamp. Mbaj mend pengesat dhe peripecitë që hasnim gjatë udhëtimit drejt këtij kampi për të takuar babanë. Shoferi i autobusit na linte gjithmonë në fund të rrugës edhe pse kalonte afër Urës së Bençës atje ku ishte i burgosur babai, ku ne e kishim më të lehtë kalimin. Mbas disa kohësh babanë do e çonin në burgun e Burrelit ku dhe do përfundonte dënimin e tij me burgim, në një nga burgjet më të egra të komunizmit. Edhe Burreli kishte një pamje të frikshme, ishte i ftohtë, i akullt, të jepte ndjesinë e “vdekjes”.

 

Kur filloi internimi juaj, pra i familjes së Dilaver Radeshit?

Ishte viti 1977, vit i cili shënonte edhe lirimin e babait nga burgu komunist. E kishim ëndërruar këtë ditë. Në burgun e Burrelit, atë kohë ka shkuar vetëm mamaja dhe motra e vogël Irma. Kanë pritur me orë të tëra, por nga ajo portë e atij burgu famëkeq nuk doli babai, por një oficer me një shprehje të egër në fytyrë që i thotë: “Nuk është këtu”. Asnjë shpjegim tjetër. Kjo përgjigje do ishte mundim për ne. U kthyen me plot dyshime dhe me shpirtin bosh. Mbas disa ditësh na vjen një telegram nga babai. E kishin internuar në Kajan të Elbasanit. Ai që kishte urdhëruar internimin ishte kryemjeshtri i torturës Nevzat Haznedari i cili së bashku me Vangjel Koten kërkonte nga babai të dëshmonte kundër Beqir Ballukut, Petrit Dumes, Hito Çakos, figura të cilët kishin mbajtur një qëndrim të ashpër kundrejt bindjeve të tij. Babai nuk pranoi të dëshmonte dhe fjalët e tij ishin këto: “Unë i kam sulmuar kur ata ishin në kolltuk dhe tani që janë të lidhur me hekura e po sulmohen nga “qentë e rrugëve”, ata janë shokët dhe vëllezërit e mi, madje kur të vijnë në burg do t’iu jap nga një kafe”! Kështu që u ridënua me internim pasi nuk firmosi deklaratën e bashkëpunimit me Sigurimin e Shtetit. Një internim i izoluar që vazhdoi deri në fund të viteve ’90.

 

Znj. Tefta, si vazhdoi historia që ju çoi drejt tentativës për vetëvrasje?

Sa herë që më kërkohet të flas për këtë pjesë, përhumb në mendime dhe sa herë i rikthehem, zbuloj detaje të reja për gjendjen që më çoi drejt tentativës për vetëvrasje. E gjitha filloi kur ndaj nesh po ushtrohej një presion i madh nga Sigurimi i Shtetit. Unë isha vajza më e madhe e familjes dhe si Nevzat Haznedari edhe Vangjel Kote u morën me mua. Karakteri im ngjasonte shumë me karakterin e babait. Gjithmonë jam shoqëruar dhe kam ndihmuar familjet e tjera të persekutuara që kishin të afërmin e tyre nëpër burgjet komuniste. Këtë gjë e kishte pikasur dhe Sigurimi që me atë paranojën që e karakterizonte thurte dyshime. Gjatë kohës që babai ishte i internuar në Kajan të Elbasanit kundrejt nesh po bëhej një hetuesi që përligjte krimet e tyre. Fillimisht ishte nëna ajo që do thirrej në dhomën e hetuesisë dhe më pas unë. Me nënën nuk u morën shumë kurse ndaj meje do zhvillonin një hetuesi që do zgjaste për gati një muaj. Ishte një hetuesi e pakuptimtë pasi më thërrisnin një ditë po dhe dy ditë jo. Ishte sfilitës mendimi se kur do vinte radha tjetër për të provuar përsëri atë zymtësi që të jepte hetuesia e kohës. Përballja e parë ishte e frikshme. Ishte një dhomë me mure të errëta që të jepte përshtypjen e një varri të ftohtë ku hetuesi të bënte pyetje provokuese që mendja nuk i konceptonte dot. Jam përballur me disa hetues të Sigurimit ku mund të përmend Skënder Sevastani, por më çnjerëzori ka qenë dhe do mbetet Nevzat Haznedari. Kjo situatë do vazhdonte deri në momentin kur unë do i dilja përballë makinës së Kadri Hazbiut me guximin e një vajze që e kishte pushtuar një trishtim i pakufi. Ishte ora 5:00 e mbasdites kur mbylla ditën e gjykimit tim në hetuesi. Në oborrin përballë Ministrisë po kalonte makina e Kadri Hazbiut. Në atë çast, vrapova dhe iu hodha sipër makinës së tij. Me plot gojë i deklarova se nëse do më thërrisnin përsëri unë do vrisja veten. Ndoshta për momentin ishte një konstatim i thënë në mërzitje e sipër, por që unë do e vija në zbatim.

 

Si e kujtoni atë moment? Cilat ishin ndjesitë që përshkuan trupin dhe mendjen tuaj?

E mbaj mend shumë mirë atë ditë. Në derën tonë do trokisnin përsëri xhelatët e Sigurimit. Ishte radha për t’u paraqitur në hetuesi dhe koha e largimit nga shtëpia. Një vendim i nënshkruar nga Zija Çela. Unë e kisha përgatitur planin tim. Asaj kohe punoja në shtypshkronjë dhe kisha marrë në shtëpi një lloj helmi që përdorej në shtypin e thellë. Atë e kisha fshehur në dollapin e banjës që të mund ta përdorja kur të vinte momenti. Ishte mëngjes. Derën e hapi vëllai. Unë isha lart në dhomë kur dëgjoj të njëjtën frazë; “Kërkojmë motrën tuaj, duhet të paraqitet pranë Degës së Punëve të Brendshme”. Kjo frazë më kishte torturuar me ditë të tëra. Zbres ashtu siç isha me pizhamet e gjumit dhe i them: Më lejoni të shkoj të ndërrohem… U ktheva qetësisht dhe më pas vrapova për në banjë atje ku kisha fshehur helmin. Kur hap dollapin, shoh që shishja ishte bosh. E kishte derdhur im vëlla, Kastrioti që kishte kuptuar orvatjen time për t’i dhënë fund jetës. Ashtu siç isha, në kushtet e një dëshpërimi, hidhem nga ballkoni i dhomës sime… Bëra atë që i kisha thënë Kadri Hazbiut! Eh… në atë kohë nuk e di pse vdekja m’u duk më e ëmbël! U hodha me vrull e një kënaqësi sikur po më çonin në parajsë dhe jo sikur po shkoja drejt vdekjes. Nuk e di nëse do e quaja fat, por poshtë shtëpisë sime në atë moment ishte komshiu, Kolec Gjoni i cili më pa kur unë u hodha dhe tentoi të kërkonte ndihmë. Kaq ishte… më morën dhe më çuan në spital ku pasojat do ishin të rënda. Për ta përmbledhur gjithë këtë do të thoja vetëm diçka, që njeriu mund të dalë nga vetja vetëm kur i vritet shpresa dhe besimi, kur në kushtet e një dëshpërimi të thellë bëhet hero duke dashur të humbasë jetën që është provokuar nga regjimi makabër.

 

Çfarë ndodhi gjatë kohës në spital? Ndërkohë familja juaj së bashku me babanë vuante internimin në Kajan të Elbasanit.

Rashë pa ndenja dhe kur hapa sytë pashë që isha në spital. Kisha dëmtuar pothuajse gjithë pjesët e trupit, më kryesorja kisha dëmtuar rruazat e shtyllës kurrizore. Mbaj mend që përreth meje ishin hetuesi, operativi i spitalit Ali Anadolli dhe mjeku ortoped Pëllumb Karagjozi për të cilin ruaj kujtimet më të mira. Ai më thotë: “Ç’bëre moj çupë? Ke dëmtuar shtyllën kurrizore, mund të paralizohesh”. Ndërsa unë duke parë hetuesin dhe operativin që ishin në këmbët e mia, mendoja me vete: “Sa të ulët që janë!”, dhe nuk më bënte përshtypje për fjalët e doktorit. Afrohet ndaj meje dhe më zuri gishtin e madh të këmbës e ma ngriti. Thirra! Më thotë: “Ke shpëtuar nga paraliza, po do vuash më vonë”. Ndërsa ata m’u kthyen duke më thënë: “E mbajte fjalën që i dhe ministrit”! U ndjeva krenare, i kisha futur në diskutime pasi në atë kohë i gjithë opinioni në Tiranë ishte me mua dhe “dënuan” këtë fakt. Kisha pësuar fraktura të rënda. Qëndrova gati një muaj shtrirë në krevatin e spitalit e lidhur e gjitha me allçi e me dërrasa.

Familjarët e mi nuk u lejuan që të vinin në spital. E vetmja që kujdesej për mua ishte shoqja ime Johana Prosi së bashku me infermieren Aleksandra e cila më sillte gjithmonë fshehur nën sqetull, garza të pastra që më nevojiteshin. Ende sot i kam shenjat e asaj orvatjeje si ato fizike dhe ato psikologjike, kur vazhdoj të jem invalide dhe kam marrë statusin e ish-të përndjekurit politik i grupit A1.

 

Si e kujtoni momentin e lidhjes suaj me z. Vaskë Kolaci?

Jeta është plot me të papritura. Për persekutimin e familjes Kolaci kisha dëgjuar nga shoqja ime e ngushtë Johana Prosi kur isha në spital dhe po vuaja pasojat e “rebelimit” tim. Ajo e kishte kushëri të parë Vaskën, Vaskë Kolacin, të cilin kur shkoja te gjyshja në Korçë e kisha parë si një djalë që mbante gjithmonë një violinë nën sqetull. Njohja jonë ishte një njohje e pazakontë, dashuria jonë akoma më shumë. Ne u dashuruam pa u parë, vetëm duke dëgjuar për fatkeqësitë tona e më tutje. Vaska gjithmonë më ka treguar se në netët e gjata të internimit fantazonte për aktet heroike të ngjarjeve gjatë revolucionit hungarez dhe me imagjinatën e tij më bashkonte me atë rini që i jepte shpresë se liria do vinte. Dhe më thoshte: Si të la ajo rini në Tiranë e nuk të rrëmbeu në krahët e saj si një heroinë? Ky akt për mua ishte vendimtar për bashkimin tonë. Një dashuri që me një farë mbin e lulëzon edhe mbi një shkëmb të egër. Kjo më vonë u gërshetua me 1 mijë peripeci dhe të papritura dhe u shtua në një pemë të fuqishme ku dha frutet e veta me bashkimin tonë e lindjen e dy vajzave, Mikaela dhe Efigjeni në fshatin Lozhan ku ishim të internuar.

 

Znj. Tefta, mbas viteve ’90 dhe deri sot keni pasur gjithmonë dëshirën dhe vullnetin për të qenë pjesë e veprimtarive të shoqatave për mbrojtjen e të drejtave të shtresës së të persekutuarve politikë dhe jo vetëm. Jeni angazhuar bindshëm për një kulturë demokratike në Shqipëri. A mendoni se në Shqipëri përgjatë gjithë këtyre viteve akoma nuk është mbajtur një qëndrim i duhur në lidhje me dënimin e krimeve komuniste? Cili është mesazhi juaj kundrejt institucioneve përkatëse?

Sistemi komunist në Shqipëri shkoi përtej fenomenit të diktaturës duke marrë meritën e një regjimi të dhunshëm totalitar ndoshta nga më të pashoqe në botë. Ne ishim të destinuar të përjetonim atë regjim makthi, i cili krijoi ndarje në shoqëri, ku nga njëra anë ishin ekzekutorët dhe nga ana tjetër viktimat. Menjëherë, me ndryshimet politike, përqafova kulturën demokratike ku fillimisht mora pjesë në Këshillin Drejtues të Shoqatës së të Persekutuarve Politikë dhe më vonë u emërova kryetare e Grave të Persekutuara Politike në qytetin e Korçës. Kam punuar për shumë vite në Arkivin e Shtetit në rrethin e Korçës, ku mund të them me plot bindje se Arkivi është mjaft i pasur me dokumente mbi pronat, por më vjen vërtet keq që shoh akoma njerëz me letra nëpër duar duke u orvatur për të fituar të drejtën e tyre të pronësisë, kështu që janë zbatuar direktivat e Gorbaçovit dhe Ramiz Alisë ku theksohej se do i vërtitim gjithë jetën me karta nëpër duar. Kanë kaluar vite nga ai sistem, por akoma dhe sot, këtu te ne, nuk ka ndodhur ai ndërgjegjësimi kolektiv për të kuptuar dhe për t’u përballur me të shkuarën sado e hidhur që ka qenë ajo. Gjithmonë kam menduar dhe kam besuar se në Shqipëri do vendosej një sistem demokratik i cili do rikuperonte plagët e komunizmit, por fatkeqësisht ndodhi e kundërta. Në këtë vend, e keqja mund të jetë aq mizore sa dikur. Duke qenë prezente për një kohë të stërgjatë, arrin që t’i shpëtojë gjykimit tonë për shkak të paaftësisë në krijimin e një drejtësie “morale” të paktën, jo më tepër. Është e nevojshme të mos harrohet historia, pasi e keqja, kur harrohet përsëritet dhe brezat që po vijnë, duhet të kenë dijeni për krimet që kanë ndodhur kundër njerëzimit. Kujtesa dhe ndryshimi duhet të vijë nga ne. Janë të shumtë ata që e jetuan atë kalvar përndjekjesh dhe persekutimesh, breza të tërë të dënuar që u lindën dhe u rritën pa liri duke ndier nën lëkurën e tyre krimet komuniste. Ndryshimi duhet të vijë edhe nga ju që po e rishikoni dhe po e rishkruani atë histori të errët që rezultoi fatale për fatin e popullsisë sonë…

 

12


Etiketa:




Source link

Share

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Contact Us